Infektuar: 101517
Shëruar: 87012
Vdekur: 2072
Humbjet e bizneseve, të pallogaritshme

Humbjet e bizneseve, të pallogaritshme

Aktuale January 21, 2021 - 15:40

Për Hotel Magra Austria në Bogë të komunës së Pejës dhe Hotel Magra Austria 2, në Bërnicë të Epërme të komunës së Prishtinës, humbjet janë të pallogaritshme gjatë vitit të kaluar për shkak të pandemisë së shkaktuar nga koronavirusi, thotë pronari i këtyre hoteleve, Skënder Thaçi.

Ai tregon se në hotelin në Bogë, vitin e kaluar nuk ka pasur klientë të mjaftueshëm, kurse në Hotelin Magra Austria 2 në Prishtinë, përjashtuar vitin e kaluar, për çdo vit ka pasur organizime të dasmave apo tubime të ndryshme familjare.

Nga mosorganizimi i ndejave dhe ndalimi i grumbullimit të qytetarëve si pjesë e masave kufizuese të Qeverisë në detyrë, fitime në qarkullim nuk ka pasur, thotë Thaçi.

Për shkak të masave mbrojtëse kundër koronavirusit, me vendim të Qeverisë nga muaji mars i vitit të kaluar, ka qenë i ndaluar organizimi i dasmave.

“Problemet financiare kanë filluar në muajin qershor, pas lehtësimit të masave për lëvizje, sepse u rritën shpenzimet dhe ato ishin kolosale, pasi puna nisi nga fillimi. Çdo ditë duhet të përgatitesh, të mbash një numër të të punësuarve, kurse për shkak të masave, kanë munguar klientët. Ne nuk mund të llogarisim fitimin e humbur, sepse është e pallogaritshme”, thotë Thaçi.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, në territorin e Kosovës janë të regjistruara rreth 20 mijë biznese në sektorinë e gastronomisë.

Për t’u dalë në ndihmë, Qeveria në detyrë e Kosovës ka ndarë tre milionë euro për të subvencionuar sektorin e gastronomisë. Në këtë sektor hyjnë, restorantet, sallat e dasmave, sallat e sportit, qendrat rehabilituese, si dhe aktivitete tjera të argëtimit dhe rekreacionit. Duke përjashtuar restorantet që kanë punuar me orar të kufizuar, varësisht nga lejimi i masave, aktivitetet tjera e kanë pasur të ndaluar zhvillimin e veprimtarive të tyre, për shkak të masave kufizuese të Qeverisë së Kosovës.

Shkrimin e plotë mund ta gjeni KËTU