Organizatat e shoqërisë civile u bëjnë thirrje partive t’i ndalin sulmet ndaj KQZ-së
Disa organizata të shoqërisë civile kanë reaguar ndaj akuzave të drejtuara ndaj kryetares së KQZ-së, Valdete Daka, raporton “Zeri.info”.
Këto organizata u kanë bërë thirrje partive politike të ndalojnë presionin dhe sulmet ndaj KQZ-së.
"Ne, organizatat e shoqërisë civile, u bëjmë thirrje partive politike që të ndalojnë presionin dhe sulmet ndaj Institucionit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) dhe ta lënë të lirë këtë institucion që të punojë sipas dispozitave ligjore dhe kushtetuese. KQZ-ja bën zbatimin e ligjit dhe kushdo që ka pakënaqësi duhet të ndjekë rrugët ligjore ndaj këtyre vendimeve, jo të bëjnë presion përmes deklaratave publike", thuhet në reagimin e kësaj organizate.
Më tej, në këtë reagim theksohet se KQZ-ja i merr vendimet në kolegjium nga të gjithë anëtarët, andaj vendimet nuk janë individuale të kryesueses së KQZ-së.
Reagimi i plotë:
Reagim në lidhje me akuzat drejtuar kryesueses së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, znj. Valdete Daka
Ne, organizatat e shoqërisë civile iu bëjmë thirrje partive politike që të ndalojnë presionin dhe sulmet ndaj Institucionit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), dhe ta lënë të lirë këtë institucion që të bëjnë punën e tyre sipas dispozitave ligjore dhe kushtetuese. KQZ bën zbatimin e ligjit, dhe kushdo që ka pakënaqësi duhet të ndjekë rrugët ligjore ndaj këtyre vendimeve, dhe jo të bëjnë presion permes deklaratave publike.
KQZ i merr vendimet ne kolegjium nga të gjithë anëtarët, që përbëhet nga njëmbëdhjetë (11) anëtarë: nga Kryesuesi dhe dhjetë (10) anëtarë të tjerë të cilët emërohen si rezultat i nominimeve, të gjashtë (6) grupeve parlamentare më të mëdha të Kuvendit të Kosovës dhe, katër (4) anëtarë që përfaqësojnë komunitetet e vogla në Kosovë. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), është themeluar në pajtim me nenin 139 të Kushtetutës së Kosovës, dhe është një organ i përhershëm i pavarur. KQZ si institucion funksionin dhe detyrat e tij i ushtron në përputhshmëri me Ligjin nr. 03/L-073 për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës dhe Ligjin nr. 03/L-072 për Zgjedhjet Lokale në Republikën e Kosovës. Poashtu me rregullat zgjedhore të Komisionit Qendror të zgjedhjeve i cili është miratuar me datën 02.07.2013.
Andaj, vendimet nuk janë individuale të kryesueses së komisionit znj. Valdete Daka, pasi që KQZ si institucion ka dërguar listat me kandidat të subjekteve politike në Këshillin Gjyqësor të Kosovës ku ka marrë përgjigje nga ky institucion për personat të cilët janë shpallur fajtor për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në tri (3) vitet e fundit, në përputhje me Nenin 29 të ligjit për zgjedhje.
Mbi të gjitha, KQZ ende nuk ka marr vendim, andaj kjo nënkuptohet si presion për të ndikuar në vendimmarrjen e institucionit.
Prandaj, organizatat e poshtëshënuara u bëjnë thirrje partive politike që të ndalin presionet dhe gjuhën që mund të qojë drejt kërcënimeve dhe sulmeve ndaj organeve të pavarura kushtetuese dhe drejtuesve të tyre.
Demokraci për zhvillim (D4D)
Demokraci Plus(D+)
Kosova Democratic Institute / Transparency International Kosova
Lëvizja FOL
Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë
Iniciativa Kosovare per Stabilitet - IKS
Iniciativa për Progres - INPO
Institute for Development Policy (INDEP)
Instituti Riinvest
Qendra Per Politika dhe Avokim (QPA)
Kosova Women's Network
Organizata Çohu / Preportr
EC Ma Ndryshe
ADMOVERE
Cel Kosovo
OJQ Plejada
sbunker
Debate Center
Shqipe Gjocaj – Aktiviste e shoqërisë civile
Krenar Shala – Aktivist i shoqërisë civile.