GLPS-ja kundërshton përfshirjen në lista zgjedhore të kandidatëve që kanë probleme me ligjin
Grupi për Studime Juridike dhe Politike ka reaguar ndaj listave të kandidatëve për deputetë, të shpalosura nga partitë politike për zgjedhjet e jashtëzakonshme që mbahen më 14 Shkurt, duke identifikuar kështu një numër kandidatësh, të cilët janë nën procedura gjyqësore ose edhe kanë dënime të formës së prerë për vepra penale, transmeton “Zeri.info”.
Përmes një komunikate, GPLS-ja thotë se kundërshton çdo përfshirje në listë të kandidatëve për deputetë të personave me aktakuza dhe dënime për vepra penale të korrupsionit, keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe vepra të tjera të ndërlidhura që dëmtojnë rëndë besueshmërinë e Kuvendit.
“Në lidhje me këtë GLPS-ja shpreh shqetësimin dhe kundërshton çdo përfshirje në listë të kandidatëve për deputetë të personave me aktakuza dhe dënime për vepra penale të korrupsionit, keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe vepra tjera të ndërlidhura që dëmtojnë rënde besueshmërinë e Kuvendit dhe vendimeve që merren. Po ashtu, pavarësisht prezumimit të pafajësisë (për ato raste me aktakuza aktive)”, thonë ata.
GLPS-ja kërkon që përbërja e re e Kuvendit duhet medoemos që të formojë një grup punues, i cili ka si qëllim, duke u bazuar në standarde objektive dhe parime të qarta të vendeve demokratike, të propozojë ndryshimet e nevojshme ligjore (pa përjashtuar edhe ato kushtetuese) që sqarojnë rrethanat ku e drejta për t’u zgjedhur në Kuvendin e Kosovës mund të kufizohet.
“Për dallim nga Aktgjykimi dhe qasja arbitrare e Gjykatës Kushtetuese, përbërja e re e Kuvendit duhet të gjejë konsensusin për të ndërtuar kufizime mbi kandidatët për deputetë mbi baza të qarta kushtetuese, sidomos duke marrë parasysh vendet demokratike, ku një gjë e tillë parashikohet për individët që janë dënuar për vepra të rënda penale, me vendime me burg efektiv dhe të cilat për nga natyra përfshijnë elemente të qarta të qëllimit dhe dashjes, sidomos ato që lidhen me korrupsionin, tradhtinë kombëtare, keqpërdorimin e detyrës zyrtare, krimin e organizuar, vjedhjen, vrasjen e të ngjashme. GLPS-ja ndan mendimin që kjo është mënyra e vetme që të ruajmë besueshmërinë e institucioneve dhe garantojmë pastërtinë e tyre nga persona me të kaluar të pastër kriminale”, thuhet tutje në këtë komunikatë.
Në fund, GLPS-ja thotë se e sheh si “thelbësore që partitë politike të reflektojnë mbi këtë thirrje dhe të sigurohen që kandidatët që po i servohen publikut për t’u votuar të gëzojnë besueshmëri, pastërti dhe integritet, e të njëjtat të distancohen nga lista, të cilat përfshijnë kandidatë që nuk gëzojnë këto karakteristika shumë të rëndësishme për të ruajtur besimin qytetar karshi shtetit të Kosovës dhe parlamentit në veçanti”. /Zëri