Nitaj kërkon nga KEDS-i stabilizim të furnizimit me rrymë

Nitaj kërkon nga KEDS-i stabilizim të furnizimit me rrymë

Aktuale January 20, 2021 - 12:04

Ministri në detyrë i Ekonomisë dhe Ambientit (MEA), Muharrem Nitaj, ka takuar sot menaxhmentin e KEDS-it, ku u njoftua për gjendjen me furnizim të energjisë elektrike në Kosovë.

Gjatë këtij takimi Nitaj kërkoi nga ta që të ketë furnizim të mirë me energji elektrike në tërë territorin e Republikës së Kosovës gjatë këtyre ditëve, kur temperaturat kanë rënë nën zero.

Po ashtu Nitaj kërkoi që të mos ketë ndërprerje të energjisë elektrike në asnjë qendër të votimit gjatë 14 shkurtit, kur në Kosovë mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare.

Ndërsa, menaxhmenti i KEDS-it theksoi se situata më problematike mund të paraqitet në komunën e Malishevës, si pasojë e problemeve të trashëguara më parë.

“KEDS-i u zotua që do të bëjë çdo gjë që është e mundur që furnizimi me energji elektrike të mos mungojë gjatë ditës së votimit, ndërsa njoftoi që ekipet do të dalin në terren për të kontrolluar gjendjen e stabiliteteve teknike në objektet, të cilat do të jenë si qendra votimi”, thuhet në njoftimin e dërguar për media.

Ka një kohë që pjesë të caktuara të vendit, sidomos nëpër disa lagje të kryeqytetit, furnizimi me energji elektrike është i mangët, duke shkaktuar pakënaqësi te konsumatorët në kohën kur temperaturat janë në minus. /Zëri