Lagjja “Dardania” në Fushë-Kosovë do të bëhet me rrethrrotullim

Lagjja “Dardania” në Fushë-Kosovë do të bëhet me rrethrrotullim

Aktuale January 19, 2021 - 13:28

Ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi, ka prezantuar projektin për ndërtimin e një rrethrrotullimi në lagjen “Dardania në Fushë-Kosovë.

Sot gjatë ditës Abrashi bashkë me nënkryetarin e Komunës së Fushë Kosovës, Fadil Krasniqi, kanë vizituar këtë lagje.

Ministri tha se rrethrrotullimi do të bëhet për ta shkarkuar lagjen “Dardania” të Fushë-Kosovës për shkak të rritjes së fluksit të veturave.

“Ky rrethrrotullim do të zgjidhë problemin edhe për banorët e Fushë-Kosovës, por edhe për bizneset që gjendet në këtë pjesë. Nevoja për ta ndërtuar këtë rrethrrotullim ka lindur si shkak i rritjes së numrit të veturave që kalojnë nëpër këtë rrugë”, tha Abrashi.

Ai bëri të ditur se kjo do të jetë zgjidhje afatgjate, që do ta lehtësojë edhe komunikacionin.

“Janë mbi 54 mijë vetura që kalojnë nëpër këtë rrugë brenda ditës, në rrugën N9 dhe ka qenë e domosdoshme të ndërtohet një rrethrrotullim”, tha Abrashi.

Projekti ideor është punuar në tri variante nga kompania projektuese e kontraktuar nga Ministria e Infrastrukturës.

Nënkryetari i Fushë-Kosovës, Fadil Krasniqi, tha se projekti do të ketë ndikim të madh në Fushë-Kosovë e veçanërisht në lagjen “Dardania”. /Zëri