Habiten mediat britanike: Krimineli shqiptar i dëbuar dy herë, kthehet sërish në Britani

Habiten mediat britanike: Krimineli shqiptar i dëbuar dy herë, kthehet sërish në Britani

Aktuale January 17, 2021 - 11:16

Një hajdut i sofistikuar shqiptar, dy herë i dëbuar nga Britania e Madhe për krimet e tij, është kthyer sërish në Britani si emigrant ilegal – dhe ka postuar në Instagram fotografi të jetës së tij luksoze duke pirë kokteje dhe duke vozitur “Porsche”.

Shkeljet e tij flagrante të kontrolleve të migrimit do të hetohen nga Ministria e Brendshme britanike, raporton “samfordcrimson”.

Doran Puka, 26-vjeç, ishte dënuar për herë të parë me nëntë muaj burgim në vitin 2016 dhe vitin pasues u dëbua për tentim të hyrjes në një pronë kur pronari e kishte parë atë në kamerë ‘live’ derisa ishte me pushime në Francë, transmeton Zeri.info.

Megjithatë, brenda vitit, ai ia kishte dalë të shmangte kontrollet kufitare dhe të kthehej në Britani të Madhe ku kreu një varg vjedhjesh në Londër.

Puka ishte kapur nga policia në Surbiton me një orë të shtrenjtë që e kishte vjedhur. Ai u burgos me tri vjet e gjysmë dhe më pas u dëbua në mars të vitit 2020.

Gjatë kohës sa qëndroi në burg në Britani të Madhe, ai u bë i famshëm për përdorimin e një telefoni të kontrabanduar duke postuar fotografi nga burgu në Instagram bashkë me liderin e një grupi të krimit të organizuar i dënuar me 12 vjet burgim për shitje të kokainës dhe pastrimit të parave.

Pasi u kthye në vendlindjen e tij në Shqipëri për disa muaj, ai udhëtoi përmes Gjermanisë, Belgjikës dhe Holandës para se të mposhtte kontrollet kufitare për të hyrë në Britani sërish në dhjetorin e vitit 2020, sipas llogarisë së tij në Instagram.

Fotografitë e postuara në Instagram muajin e kaluar e shfaqin atë në Richmond, Surrey, me maskë kundër Covid-it dhe para një veture “Porsche” 70,000 funtesh.

Image

Pamje tjera të tij në Britani e shfaqin atë duke festuar Krishtlindjet me një gjeldeti, “Jack Daniels”, pije tjera alkoolike dhe kokteje në gota kristali, si dhe një video gjatë një seance stërvitore në Londrën veriore ku shihet një boksier amator shqiptar.

Një zëdhënës i Ministrisë së Brendshme britanike tha se informatat i janë përcjellë Policisë Kufitare për ta kapur dhe dëbuar sërish atë.

Ky zbulim vjen pas një sërë skandalesh me dëbimet ku tentimet për t’i dërguar me aeroplanë kriminelët shtetas të huaj nëpër vendet e tyre janë penguar apo bllokuar nga sfidat ligjore për të drejta të njeriut si dhe me pretendimet për skllavëri moderne, transmeton Zeri.info.

Një raport nga Zyra Kombëtare e Auditimit (NAO) vitin e kaluar tha se Ministria e Brendshme nuk e ka idenë se sa imigrantë ilegalë janë në Britani, duke theksuar se shifrat e fundit prej rreth 430,000 janë 15 vjet të vjetra. Një ish-shef i imigracionit, David Wood, ka thënë se tashmë janë rreth 1 milion imigrantë ilegalë në Britani. /Zëri