Mitrovica në zonën e kuqe, Bahtiri: Shpresoj që vendimi është marrë pa ndonjë qëllim

Mitrovica në zonën e kuqe, Bahtiri: Shpresoj që vendimi është marrë pa ndonjë qëllim

Aktuale January 15, 2021 - 18:25

I pari i Mitrovicës, Agim Bahtiri e ka quajtur të padrejtë vendimin e Ministrisë së Shëndetësisë që komuna që i drejton të futet në Zonën e Kuqe për masat anti-COVID.

Përmes një postimi në “Facebook”, Bahtiri ka thënë se komuna e Mitrovicës duhet të kalojë numrin prej 120 rasteve me koronavirus që sipas tij të futet në këtë zonë.

“Vendimi i Ministrisë së Shëndetësisë që Mitrovica të futet në Zonën e Kuqe për masat anti-COVID-19 është i padrejt, pasi që në bazë të numrit të popullsisë dhe praktikave të zbatuara deri më tash, komuna jonë duhet ta kaloj numrin prej 120 rasteve me COVID-19 për t'u futur më këtë zonë”, tha ai.

Ai shpreson që vendimi i MSH-së është marrë pa ndonjë qëllim, teksa kërkon nga ministri Zemaj që t’i verifikojë statistikat.

“Sipas statistikave zyrtare të publikuara nga IKShP-ja në Mitrovicë për shtatë ditë kanë rezultuar 106 raste pozitiv me COVID-19. Shpresoj që ky vendim i padrejt është marrë pa ndonjë qëllim dhe kërkoj nga ministri i Ministrisë së Shëndetësisë, z.Armend Zemaj që t'i verifikoj statistikat dhe ta rishqyrtoj këtë vendim”, ka shkruar Bahtiri./Zëri