Komuna e Suharekës ndihmon të infektuarit me COVID-19 me nga 100 euro
Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, ka njoftuar se kjo komunë do t'u dalë në ndihmë me mjete financiare qytetarëve të prekur nga COVID-19, raporton “Zeri.info”.
Sipas Muharremajt, me iniciativën e Grupit Parlamentar të PDK-së e po ashtu edhe me përkrahjen e asamblistëve të tjerë, është aprovuar vendimi për ndarjen e mjeteve, ku çdo qytetar i prekur nga COVID-19 do të subvenciohen me nga 100 €, ndërsa qytetarët që kanë humbur betejën me këtë virus, familjarët e tyre do të subvencionohen me nga 200 €, gjithmonë duke u bazuar në listat e pacientëve në testimet PCR të IKSHPK-së.
Sipas tij, ky vendim do të vlejë që nga dita e shpalljes së pandemisë e deri në përfundimin e saj, sipas vendimeve të institucioneve shëndetësore.
"Krahas shpenzimeve dhe humbjeve, kjo natyrisht se është simbolike, mirëpo mendoj se bashkë edhe këtë sfidë mund ta përballojmë dhe bashkëndiejmë me ju. Për formën dhe mënyrë e aplikimit do të njoftohen me kohë të gjithë qytetarët e prekur me COVID-19, sipas listës me testimet PCR të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike.
Të gjithë të prekurve nga pandemia COVID-19 ju uroj shërim të plotë, ndërsa familjarëve që humbën më të dashurit e tyre ju shprehim ngushëllimet tona më sinqerta", ka shkruar ai në "Facebook". /Zëri