![Kosovarët do të shkojnë të festojnë vitin e ri në Shqipëri, ahengjet e fundvitit u ndalohen në vend](/uploads/zeri.info/images/2020/December/16/auto_Prishtine1608113291.jpg)
Kosovarët do të shkojnë të festojnë vitin e ri në Shqipëri, ahengjet e fundvitit u ndalohen në vend
"Hotel International" në Prishtinë për çdo fundvit, nga data 20 dhjetor deri më 1 janar, ka pasur organizime nga institucionet publike dhe kompani private për të festuar vitin e ri.
Ardian Ismaili, menaxher në këtë hotel, thotë se për çdo ditë gjatë kësaj periudhe ka pasur më shumë se 200 mysafirë dhe një numër të madh të punëtorëve. Por komplet situata paraqitet ndryshe gjatë këtij viti. Ai tregon se deri më tani nuk kanë organizuar asnjë ndejë dhe për këtë kërkon nga Qeveria që t’i lehtësojë masat kufizuese së paku për festat e Vitit të Ri.
“Unë mendoj se e vetmja Pako për Rimëkëmbje dhe ndihma më e madhe do të ishte që të hiqen masat kufizuese dhe të na lejohet të punojmë. Kjo do t’i ndihmonte edhe bizneset edhe punëtorët”, thotë Ismaili.
Përveç festave për Vitin e Ri, në "Hotel International" gjatë vitit të kaluar janë organizuar 40 dasma, kurse gjatë këtij viti nuk është organizuar asnjë. Për shkak të masave mbrojtëse kundër koronavirusit, me vendim të Qeverisë nga muaji mars ka qenë i ndaluar organizimi i dasmave.
“Nëse vazhdojnë këto masa kështu edhe një kohë të shkurtër nuk besoj se do të mund të mbijetojmë, pasi kjo punë është sezonale dhe ky vit ka shkuar pa përfitime”, thekson Ismaili.
Heqjen e masave kufizuese të lëvizjes së lirë dhe orarit të veprimtarisë për sektorin e gastronomisë, po e kërkon edhe Hysen Sogojeva nga Oda e Hotelerisë dhe Turizmit, dhe Arian Vrainca nga Shoqata e Gastronomeve, për shkak që sipas tyre, humbjet financiare në këtë sektor janë jashtëzakonisht të mëdha.
Sektori i gastronomisë, ku përfshihen restorantet, hotelet, baret, klubet e natës/ diskotekat, sallat e dasmave dhe pishinat, sipas tyre, llogaritet të jetë sektori që ka pësuar më së shumti humbje financiare që nga 13 marsi i këtij viti kur edhe nisën së zbatuari masat emergjente për parandalimin e koronavirusit të ri, edhe tash pas lehtësimit të tyre, por me orar të kufizuar të punës.
Vrainca: Rreth 10 për qind e bizneseve mund të falimentojnë
Sipas masave aktuale, shërbimet e hotelerisë dhe gastronomisë lejohen të punojnë nga ora 05:00 deri në orën 19:00. Ata, ndërkaq, po kërkojnë që “urgjentisht të bëhet lirimi i masave për festat e Vitit të Ri”.
Arian Vrainca, nga Shoqata e Gastronomeve të Kosovës, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë shprehet se deri më tash 83 për qind të bizneseve në këtë sektor kanë raportuar humbje të thella financiare.
Shkrimin e plotë mund ta lexoni KËTU.