Qelaj: Pas pandemisë do të ketë fluks më të madh të ankesave nga qytetarët

Qelaj: Pas pandemisë do të ketë fluks më të madh të ankesave nga qytetarët

Aktuale December 06, 2020 - 08:24

Avokat i Popullit, Naim Qelaj, ka thënë se që nga marrja e mandatit vështirësitë më të mëdha kanë qenë pas shpërthimit të pandemisë, gjë e cila ka ndikuar në reduktimin e punës dhe stafit.

Ai deklaron se gjatë pandemisë ka pasur rënie të ankesave nga qytetarë për shkak të mosfunksionimit të mirë të institucioneve.

Madje, ai tha se pret që pas kalimit të kësaj situate do të ketë fluks më të madh të qytetarëve sa i përket ankesave.

Sipas tij, zvarritjet e procedurave gjyqësore janë ato më shqetësuese sepse po vazhdojnë vit pas viti dhe akoma nuk kanë gjetur zgjidhje për t’iu ofruar qytetarëve një gjykim të drejtë sa i përket qasjes në dokumente zyrtare.

“Padyshim që vështirësitë kryesore kanë qenë në periudhën kur unë e kam pranuar mandatin e avokatit të popullit sepse ishte periudha e kulmit të shpërthimit të pandemisë të cilat kanë ndikuar në reduktimin e punës, stafit. Ankesat në një farë mënyrë kanë pasur rënie në periudhën e pandemisë dhe kjo donë një analizë dhe vlerësim. Sigurisht kjo ka ardhur si pasojë e mos funksionimit të mirë të institucioneve të pushtetit dhe në këtë formë dhe adresimi i ankesave ka qenë më i paktë, ndërsa natyra e ankesave lidhet me çështjet problematike që janë ballafaquar qytetarët në të kaluarën”.

“Mosofrimi i qasjes në dokumente zyrtare është një shqetësim jo vetëm për fatin që nuk po ofrohet, por ekzistojnë mjetet ligjore që secili qytetarë që kërkon qasje në dokumente mund ta sigurojë atë po më shumë problem. Unë pres që pas kalimit të kësaj situate do të ketë fluks të qytetarëve”.

Qelaj theksoi se nuk mund të japë një  konstatim pa i kryer hetimet dhe pa i marrë të dhënat nga terreni sa i përket shkeljes së të drejtave të njeriut.

Por ai shtoi se prej ankesave që kanë pranuar nga terreni ka dalë që ka pasur shkelje në fazën fillestare të aplikimit të masave kundër pandemisë me kufizimin e lëvizjes, raporton EO.

“Se a ka pasur shkelje ne nuk mund të japim një konstatim pa i kryer hetimet dhe pa i marr të dhënat nga tereni, megjithatë prej ankesave që kemi pranuar nga terreni ka dalë që ka pasur shkelje në fazën fillestare të aplikimit të masave kundër pandemisë me kufizimin e lirisë, ligj i cili u shpall antikushtetues me kërkesën e Avokatit të Popullit”.

“Hetimet edhe hulumtimet tona kanë për të treguar se pikërisht shkeljet më të mëdha janë bërë në trajtimin jo të barabartë të qytetarëve në mbështetje nga ana e institucioneve. Në një situatë të tillë të jashtëzakonshme padyshim që  jo të gjithë qytetarët janë të kënaqur me shërbimet që janë ofruar në të drejtën për të pasur një trajtim mjekësor për këtë sëmundje që është shqetësuese për tërë globin”.

Mes tjerash, ai tha se ka pasur një zvogëlim të buxhetit, andaj sipas tij, Qeveria nuk duhet të bëjë shkurtesa buxhetore tek Avokati i Popullit ngase shkurtime të tilla mund të ndikojnë në punën, efikasitetin e institucionit.

“Ka pasur një zvogëlim të buxhetit por unë mendoj që do të tejkalohet dhe do të rikthehet buxheti ashtu siç është planifikuar sepse përveç që nuk është buxhet shumë i vogël dhe nuk ndikon në buxhetin e tërësishëm të vendit është një e drejtë dhe një obligim ligjor për Qeverinë që të mos bëjë shkurtesa buxhetore tek Avokati i Popullit ngase shkurtime të tilla mund të ndikojnë në punën, efikasitetin e institucionit dhe në anën tjetër ndikon edhe në ruajtjen e pavarësisë që ka ky institucion nga ekzekutivi  i pushtetit”./EkonomiaOnline