Ekskluzive: Nuk bie qeveria “Hoti”, Kushtetuesja do të vendosë kundër kërkesës së LVV-së
Foto:Laura Hasani

Ekskluzive: Nuk bie qeveria “Hoti”, Kushtetuesja do të vendosë kundër kërkesës së LVV-së

Aktuale December 02, 2020 - 10:01
Image

Sot në orën 10:00 është paraparë të fillojë seanca e Gjykatës Kushtetuese, në të cilën do të shqyrtohet kërkesa e Lëvizjes Vetëvendosje lidhur me kontestimin e votës së deputetit Etem Arifi.

Burime zyrtare të gazetës “Zëri” brenda Kushtetueses bëjnë të ditur se kjo Gjykatë nuk do të marrë vendim pro kontestimit të votës së deputetit Etem Arifi.

Sipas këtij burimi, gjasa që qeveria “Hoti” të rrëzohet sipas kësaj vote janë minimale.

Ndërsa i kontaktuar nga “Zëri”, profesori universitar i fushës kushtetuese-administrative, Dardan Vuniqi, ka thënë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk mund të jetë në favor të kërkesës së LVV-së, sepse do të krijonte praktikë jo të mirëfilltë juridike.

"Rrjedhimisht vota e deputetit Arifi nuk mund të shpallet sot votë e pavlefshme", ka thënë ai në deklaratën e tij dhënë për "Zërin".

Etem Arifi ishte njëri prej 61 deputetëve që votoi pro zgjedhjes së qeverisë “Hoti”.

Vota e deputetit të Partisë së Ashkalinjve u cilësua jovalide nga LVV-ja për faktin se ai është dënuar për korrupsion me vendim përfundimtar të Gjykatës.

Me votat e 61 deputetëve të Kuvendit të Kosovës Avdullah Hoti është zgjedhur kryeministër. Mirëpo partia që udhëhiqte me pushtetin, Lëvizja Vetëvendosje, konsideron se votimi i Qeverisë së në krye me Hotin është jovalid, për çka edhe i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese lidhur me ligjshmërinë e votës së Etem Arifit, që është i dënuar me një vit e tre muaj burgim.

“Pjesëmarrja e z. Etem Arifi në seancë dhe votimi i tij, aq më tepër si votë përcaktuese, e thellon edhe më shumë paligjshmërinë e kësaj Qeverie dhe e bën edhe proceduralisht të paligjshëm vendimin e Kuvendit për votimin e Qeverisë. Është e përcaktuar qartë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës se mandati i deputetit humb ose bëhet i pavlefshëm në rast të dënimit për vepër penale me një vit e më shumë burg. Me provat që dëshmojnë qartazi se z. Etem Arifi është dënuar me aktgjykim të formës së prerë dhe për rrjedhojë ka humbur mandatin e deputetit, sot disa deputetë të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje kanë dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për antikushtetuetshmërinë e pjesëmarrjes dhe të votimit të z. Arifi, i cili e bën të pavlefshëm dhe jokushtetues vendimin e Kuvendit të Kosovës”, thuhej në njoftimin e plotë të LVV-së. /Zëri