Rifat Jashari do të dekorohet me “Urdhrin e Lirisë” nga presidentja Osmani

Rifat Jashari do të dekorohet me “Urdhrin e Lirisë” nga presidentja Osmani

Aktuale November 28, 2020 - 20:18

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes, Vjosa Osmani, ka kumtuar lajmin se do të dekoroj me “Urdhërin e Lirisë”, vëllaun e Adem Jasharit, Rifat Jasharin.

Osmani, përmes një postimi në “Facebook”, përshkruajti kronologjikisht ngjarjet që e “tronditën” Rifat Jasharin, gjatë veprimtarisë së tij për liri të vendit.

“Liria e një populli merr kuptimin kur secili në mënyrën e vetë kontribuon në arritjen e të drejtave elementare. Rifat Jashari është vetëm njëri nga anëtarët e familjes Jashari, i cili ishte krah rezistencës së kësaj familje që vuri themelet e lirisë së Kosovës. Ai ishte aty më 30 dhjetor të vitit 1991, kur bashkë me Ademin e Hamzën, rezistuan ndaj sulmit të forcave serbe, të bindur se liria nuk ka kusht.

Në të njëjtën vazhdë, më 22 janar, 1998, në sulmin e forcave serbe është plagosur vajza e Rifatit, Iliriana. Teksa në mars të vitit 1998, në mesin e anëtarëve të familjes Jashari vritet gruaja e Rifatit bashkë me tri vajzat e tij. Por, kjo nuk është e tëra që bëri Rifati për lirinë e vendit. Ai është shenja më tipike e gjallë e Shaban Jasharit, komandant Adem Jasharit dhe Hamzës. Ai është vazhdimësia e përpjekjes për liri dhe për një Kosovë siç e deshën të gjithë të rënët e familjes Jashari e më gjerë.

Me mesazhet e tij, Rifati prej kohësh është shndërruar në një zë të familjes Jashari që thërret për unitet për ta bërë Kosovën siç duam”, shkruan Osmani.

E para e vendit ka njoftuar se, pikërisht në muajin nëntor, do të nderoj Rifat Jasharin, duke i ndarë atij “Urdhërin e Lirisë”.

“Prandaj sot, më 28 nëntor, në këtë festë të të gjithë shqiptarëve dhe në ditëlindjen e komandantit legjendar të UÇK-së, kam vendosur t’i ndajë Urdhrin e Lirisë, bacës Rifat Jashari. Akordimi i Urdhrit të Lirisë për Rifat Jasharin është nderim ndaj jo vetëm atij si një trashëgimtar i shpirtit të komandantit dhe familjarëve të tjerë të rënë, por mirënjohje për atdhetarin që nuk pushon kurrë sa herë që i jepet rasti ta ngrisë zërin për unitet e bashkim rreth vlerave të lirisë.

Ceremonia e ndarjes së Urdhrit do të organizohet në Presidencë sapo të kthehet baca Rifat në Kosovë”, thuhet në postimin e Osmanit./Zëri

 

Liria e një populli merr kuptimin kur secili në mënyrën e vetë kontribuon në arritjen e të drejtave elementare. Rifat...

Posted by Vjosa R. Osmani on Saturday, November 28, 2020