Pacolli Hotit për emërimin e Shalës konsull në Pragë: Rrena i ka këmbët e shkurta
Emërimi i Flakron Shalës, djalit të deputetit Haxhi Shala, si konsull i përgjithshëm në Pragë, nxiti shumë reagime në opinion.
Derisa në dekretin për emërimin e tij shihet se ishte nënshkruar nga tashmë ish-presidenti Thaçi, aty shihej po ashtu se i njëjti dekret i ishte dërguar edhe Zyrës së Kryeministrit.
Mirëpo, kryeministri Avdullah Hoti, tha sot të mos ketë qenë në dijeni për këtë dekret, dhe se të njëjtin e ka mësuar nga mediat.
Por, ndaj kësaj deklarate të Hotit ka reaguar deputetja e LVV-së, Fitore Pacolli, e cila ndër të tjera e quajti “rrenc” kreun e ekzekutivit.
“Interesant, z. Hoti nuk paska qenë i informuar për emërimin e Konsullit të Përgjithshëm të Republikës Kosovës në Pragë të Çekisë. Qenka njoftuar nga mediat dhe se emërimi nuk qenka koordinuar me të. Ndoshta nuk qenka informuar as për vizitën e Thaçit dhe Ramushit në shtëpinë e Haxhi Shalës. As që këta dy e kanë bindur deputetin, në fakt e kanë blerë, deputetin Shala të votoj qeverinë e tij. Apo ndoshta nuk qenka koordinuar Hoti me Thaçin e Ramushin për ta rrëzuar qeverinë Kurti e për tu zgjedhur ai në vend të Kurtit. Z. Hoti po mendon se duke u viktimizuar i ikën përgjegjësisë. Dulla paska harruar që rrena i ka këmbët e shkurta e viktimizimi më nuk i shitet lehtë”, ka thënë deputetja Pacolli.
Në orët e mbrëmjes së sotme, nga U.D. e presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani, mori vendim për shfuqizimin e vendimit për emërimin e Flakron Shalës dhe të katër konsujve tjerë. /Zëri