Hoti: Emërimi i djalit të Haxhi Shalës nuk është bërë në koordinim me mua

Hoti: Emërimi i djalit të Haxhi Shalës nuk është bërë në koordinim me mua

Aktuale November 25, 2020 - 14:32

Kryeministri i vendit, Avdullah Hoti, ka reaguar për emërimin e Konsullit të Përgjithshëm të Republikës së Kosovës në Pragë të Çekisë, Flakron Shala.

Hoti ka thënë se emërimi i Shalës, i cili është djali i deputetit të AAK-së, Haxhi Shala, nuk është bërë nga ai dhe se është njoftuar vetëm nga mediat.

“Për emërimin e Konsullit të Përgjithshëm të Republikës Kosovës në Pragë të Çekisë, jam njoftuar nga mediat. Ky emërim nuk është koordinuar me mua”, ka thënë Hoti, transmeton Zeri.info.

Hoti ka sqaruar se Qeveria është në proces të analizimit dhe rishikimit funksional të rrjetit të misioneve diplomatike.

“Pas kësaj analize do të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme për të siguruar funksionim efikas të misioneve diplomatike dhe do të sigurohemi që përbërja e këtyre misioneve të jetë në përputhje me ligjin”, ka thënë kreu i qeverisë./Zëri