Pacolli fton qytetarët ta padisin KEDS-in për reduktimet

Pacolli fton qytetarët ta padisin KEDS-in për reduktimet

Aktuale November 23, 2020 - 16:17

Deputetja e LVV-së, Fitore Pacolli ka reaguar pas reduktimeve të energjisë elektrike në disa pjesë të Prishtinës.

Pacolli ka thënë se KEDS-i me ndërprerje të energjisë elektrike, po shkel të drejtat themelore të qytetarëve, ndërsa ka shtuar se kjo po ja vështirëson edhe më shumë jetën qytetarëve, sidomos atyre që janë të vetizoluar nëpër shtëpi dhe banesa për shkak të COVID-19, transmeton Zeri.info.

“Përsëri paska prishje. Përsëri me orë të tëra në këtë kohë të ftohtë mbesin pa rrymë e rrjedhimisht pa ngrohje e ujë qindra banorë të Prishtinës. Në këtë kohë kur shumë banorë po kurohen nga Covid19 në banesat e tyre janë lënë pa rrymë e rrjedhimisht edhe pa ngrohje e pa ujë. Në shumicën e banesave kur nuk ka rrymë nuk ka as ngrohje e as ujë.Kjo është e papranueshme KEDS po shkel të drejtat themelore të qytetarëve”, shkruan Pacolli.

Ajo ka ftuar qytetarët dhe bizneset që të padisin KEDS-in për siç ka thënë maltretimin që po ja bën.

“Nuk na intereson ne a ka prishje. Ne paguajmë shërbimin ndërsa nuk na intereson fare se si kompania do ta sigurojë atë. Qytetarët duhet të furnizohen me rrymë.A u privatizua distribucioni i KEK-ut me premtimin se do të përmirësohet shërbimi? Ky nuk është shërbim por maltretim.Secili qytetarë dhe të gjitha bizneset, që janë dëmtuar nga këto ndërpreje të gjata të rrymës, të deponojnë padi kundër KEDS. KEDS duhet të kompenzoj secilin për dëmet që i ka shkaktu secilit, bash secilit”, shkruan deputetja./Zëri