Vetëvendosja thotë se nuk mund të ketë unitet pa shkuar në zgjedhje

Aktuale November 17, 2020 - 12:25

Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të insistojë se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme, duke quajtur Qeverinë aktuale jolegjitime.

Nënkryetarja e Kuvendit nga radhët e LVV-së, Arbërie Nagavci, ka thënë se në Kosovë nuk mund të ketë unitet pa shkuar në zgjedhje të reja, transmeton “Zeri.info”.

Sipas Nagavcit, thirrjet për unitet duhet të kenë qëllime, pasi unitet ka pasur edhe për çështje që në fund rezultuan të dëmshme për vendin.

Shkrimi i plotë i Nagavcit:

Nuk mund të ketë unitet pa legjitimitet.

Kurdo që lind nevoja thirrjet për unitet duhet të kenë qëllim dhe bosht. Pra për çka po bashkohemi dhe rreth kujt?

Këto dy pyetje janë tepër të rëndësishme, sepse unitet ne kemi pasur edhe për çështje që në fund rezultuan të dëmshme për vendin.

Unitet ka pasur edhe për marrëveshjen me Serbinë në vitin 2013, rreth atëherë Hashim Thaçit kryeministër.

Unitet ka pasur edhe rreth formimit të Gjykatës Speciale në vitin 2015, përsëri rreth Hashim Thaçit kryeministër.

Unitet ka pasur edhe për demarkacionin me Malin e Zi në vitin 2017, rreth atëherë Ramush Haradinajt, kryeministër i PAN-it në koalicion qeverisës.

Unitet ka pasur edhe për rrëzimin e qeverise “Kurti” me 82 vota në mes të pandemisë këtë vit, rreth Hashim Thaçit president e Isa Mustafës lider të klubit të stërvjetëruar politik.

Uniteti nuk mund të jetë qëllim në vetvete. Ai duhet të jetë instrument në shërbim të një qëllimi. Nuk mund të këtë unitet rreth atyre që nuk kanë legjitimitet e aq më pak rreth atyre që janë përgjegjës dhe shkaktarë për situatën sot.

Janë bërë shumë gabime në të kaluarën në Kosovë e në dëm të saj nga ata që ishin dje e që vazhdojnë të jenë sot. Uniteti rreth klubit të stërvjetëruar politik do të ishte një tjetër gabim.

Vendit i duhen zgjedhjet të reja sa më parë që mundësojnë krijimin e një boshti legjitim e të duhur për unitet.