Pandemia uli gazrat serë, duke ndikuar pozitivisht në ngrohjen globale
Porta e Indisë në New Delhi, tetor 2019 dhe 2020, pas masave izoluese. Foto: Reuters

Pandemia uli gazrat serë, duke ndikuar pozitivisht në ngrohjen globale

Aktuale November 11, 2020 - 08:29

Nga: Edona Sadikaj

Me fillimin e pandemisë COVID-19 shumë kufij ndërkombëtarë u mbyllën dhe njerëzit u izoluan në shtëpitë e tyre, gjë që uli transportin dhe ndryshoi lëvizjen dhe konsumin e njerëzve.

“World Meteorogical Organization” ka bërë krahasimin e nivelit të gazrave serë të këtij viti me një vit më parë.

Studimi tregon se bllokimet globale kishin një ndikim të rëndësishëm dhe të menjëhershëm në lëshimet e gazrave serë me nivelet ditore në prill 2020, duke rënë me 17%, duke e krahasuar me 2019-n.

Por sa i qëndrueshëm është ky efekt pozitiv në planin afatgjatë?

Profesori i shkencave të Pyjeve dhe Mjedisit, Faruk Bojaxhi, në fakultetin “Ukshin Hoti”, për “Zërin” ka thënë se masat izoluese gjatë pandemisë kanë dhënë efekte të mira si në cilësinë e ajrit, ashtu edhe në zhvillimin më efektiv të biodiversitetit.

“Emetimet e CO2 dhe lëvizjet e njerëzve janë ulur (si rezultat i reduktimit të punës në fabrika, transporti publik dhe ai ndërkombëtar), gjë që ka ndikuar në përmirësimin cilësisë së ajrit, duke mundësuar një zhvillim më efektiv të biodiversitetit, shëndet më të mirë për pjesën tjetër të botës së gjallë e deri të dhënia e shanseve që kafshët e egra të dalin dhe të eksplorojnë qytetet, ashtu siç i kemi parë edhe në mediat e ndryshme”, tha ai.

Profesori Bojaxhi përmend shprehjen “fat në fatkeqësi”, e cila, sipas tij, mund të gjejë vend në rastin e COVID-19. Kjo për faktin se në planin afatgjatë, pandemia COVID-19 do të na ofrojë mundësi që të mendojmë dhe të veprojmë ndryshe me mjedisin.

“Ne kemi mësuar një bazë të re të asaj që mund të arrihet në formë digjitale si: puna në distancë, arsimi në distancë, pazari dhe kryerja e shumë shërbimeve në distancë”, thekson ai.

Po ashtu kjo situatë ka ngritur dhe ka forcuar edhe partneritetin në mes të qeverive, institucioneve private, madje edhe mediave sociale, që, sipas Bojaxhit, do të na ndihmojë neve që të ndihemi më të aftë për të trajtuar çështje të tjera të ngutshme, siç janë ndryshimet klimatike, në kontekstin e asaj se si do të trajtojmë një krizë klimatike në dekadat e ardhshme. Ai tregon për zakonet që duhet t’i kemi çdoherë.

“Kohët e tilla të ndryshimit mund të çojnë edhe në aplikimin e zakoneve me qëndrueshmëri afatgjate. Si rezultat i shpërthimit të COVID-19 disa zakone që janë rastësisht të dobishme për mjedisin mund të zgjasin edhe më tutje, si për shembull, zvogëlimi i udhëtimeve, reduktimi i daljes pa nevojë me makina, ushqim më të kontrolluar, kujdes i shtuar në menaxhimin e mbeturinave etj.”, tha Bojaxhi.

Por sa është i rëndësishëm një shtet i vogël si Kosova në ndryshimet klimatike?

“Pa diskutim që ndotja nuk njeh kufi dhe shtetësi, Kosova edhe pse shtet i vogël me sipërfaqe, normalisht që ka ndikim në rastet e ndikimeve negative mjedisore. Se sa është ndikimi i saj negativ normalisht që ekzistojnë parametra matës dhe krahasues, megjithatë asnjëherë nuk duhet neglizhuar dhe injoruar ndikimin pozitiv ose negativ për mjedisin, që mund të ketë edhe një individ i vetëm e lëre më një shtet”, u shpreh Bojaxhi.

Duke e marrë parasysh që ky problem do të jetë vendimtar për fatin e gjeneratave që do të vijnë, ai thotë se fokusi jonë duhet të jetë në prioritizimin e tij dhe parandalimin e përkeqësimit të situatës.

Bardha Krasniqi, supervullnetare në OJQ-në “Toka” dhe aktiviste e rregullt për ambientin, tregon listën e veprimeve që ne mund të ndërmarrim për të ndikuar pozitivisht në ngrohjen globale.

“Hapi i parë duhet të jetë: ndalimi i përkrahjes së industrisë, e cila ka ndikimin më të madh në këtë problem – industria e produkteve me origjinë nga kafshët. Me këtë, qëllimi është në zvogëlimin e magnitudës së përdorimit e pse jo edhe dieta vegjetariane/vegane. Hap tjetër i rëndësishëm është shmangia e plastikës njëpërdorimshme, rijetësimi i rrobave të vjetra, duke blerë ‘second hand clothes’ dhe në përgjithësi mençuria gjatë blerjes”, thotë ajo për “Zërin”.

Bardha shton: “Duke folur sipas perspektives personale, një ‘lifestyle’ i tillë është shumë lehtë për t’iu përshtatur dhe sjell përfitime edhe te ti si individ”.

Sipas saj, njerëzit në përgjithësi kanë mundësinë për të ndërmarrë veprime dhe për të punuar me zgjidhje, që do të ndihmojnë në uljen e kontributit tonë në ngrohjen globale.

“Aq më tepër kur mendon që veprimet që ti i bën janë në kohezion me sigurimin e një jete të mirë edhe për gjeneratat që do të vijnë, një jetë prej të cilës varemi jo vetëm ne si njerëzim, por varet fati i të gjithë botës së gjallë. Si përfundim, secili nga ne jemi përgjegjës për veprimet që marrim e idealja do të ishte që këto veprime të jenë mbështetëse të mbrojtjes së planetit tonë, mbrojtjes së gjitha gjallesave në të dhe parandalimit të shkatërrimit të produkteve milionvjeçare!”, u shpreh Krasniqi.

Sipas OJQ-së me bazë në Tajlandë, “Warm Heart”, e cila merret me ndryshimet klimatike, e ardhmja e popullsisë së planetit tonë varet në mënyrë kritike nga shëndeti i ekosistemeve mbështetëse të Tokës dhe e gjithë botës së gjallë. Një analizë e kryer nga kjo OJQ ka ofruar një paralajmërim të fortë në lidhje me fuqinë e ndryshimit të klimës antropogjene në të ardhmen, për t'u përkthyer drejtpërdrejt në rrezik zhdukjeje për speciet e tjera. /Zëri