Ministria e Ambientit sqarohet për luanin që po mbahet ilegalisht në Gjilan

Ministria e Ambientit sqarohet për luanin që po mbahet ilegalisht në Gjilan

Aktuale November 09, 2020 - 17:58

Fondacioni për të drejtat e Kafshëve, gjatë ditës së djeshme ka akuzuar Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit, se nuk po i kryen punët e veta pasi që një luan i quajtur Gjoni qe një vit po qëndron ilegalisht në resorin “Maja e Zezë” në Gjilan, transmeton Zeri.info.

Për këtë është sqaruar sot ministri Blerim Kuçi, i cili deklaron se kabineti i tij po merret me hapat e mëtutjeshëm për këtë rast.

“Më 8 nëntor qenka bërë një vit prej kur ky luan qëndron në kushte të pafavorshme për këtë kafshë në një restorant në Gjilan. Me të drejtë, shoqëria civile është shprehur e shqetësuar. Dua të ju informoj që sot jam njoftuar në parim për ngjarjen nga zyrtarët e ministrisë dhe kabineti im po merret për hapat e mëtutjeshëm, duke qenë edhe në komunikim me anëtarët e shoqërisë civile. Tashmë, Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit ka një Grup Punues për të gjetur zgjidhjen e këtij problemi, ku bëjnë pjesë edhe anëtarë të shoqërisë civile”, tha ai.

Kuçi theksoi se ky rast po trajtohet edhe në Prokurorinë Themelore të Gjilanit.

“Prokurorisë dhe konkretisht Prokurorit të Çështjes i ka shkuar një letër më 1 shtator 2020 me propozime për hapat që duhen ndërmarrë për rastin në fjalë, mirëpo ende nuk është marrë asnjë përgjigje zyrtare.”, tha ai.

Ai tha se luanit do t'i gjendet një zgjidhje.

“Tashmë do të zhvillojmë një takim me grupin punues gjatë kësaj jave dhe për secilin hap që do të ndërmerret, do të ju mbajmë të informuar. Në kapacitetet tona infrastrukturore ne nuk posedojmë një hapësirë të favorshme për të mbajtur këtë luan. Mirëpo, angazhimi ynë nuk do të mungon për të gjetur një zgjidhje sa më të mirë për këtë luan”, përfundoi ai. /Zëri