Podujeva me mungesë të ujit të pijes prej vitesh

Podujeva me mungesë të ujit të pijes prej vitesh

Aktuale November 01, 2020 - 12:13

Jetlira Ademi

Uji dhe ajri, si dhe cilësia e tyre, janë elemente esenciale për njerëzit dhe qeniet e gjalla në përgjithësi.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, në vitin 2017, 71% e popullsisë globale (5.3 miliardë njerëz) kanë pasur qasje në shërbim të ujit të pijshëm të menaxhuar në mënyrë të sigurt - domethënë, i disponueshëm kur është i nevojshëm dhe pa ndotje.

Ndërsa, globalisht, të paktën 2 miliardë njerëz përdorin një burim uji të pijshëm por të ndotur me feçe. Ky ujë i ndotur mund të transmetojë sëmundje të tilla si diarre, kolera, dizenteria, tifoja dhe poliomieliti. Uji i pijshëm i kontaminuar vlerësohet të shkaktojë 485,000 vdekje nga diarreja çdo vit.

Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës thotë se vendi ynë ka rezerva të pamjaftueshme ujore, që në të ardhmen do të jenë një faktor kufizues për zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të vendit. Karakteristikë kryesore hidrologjike në Kosovë është shpërndarja jo e barabartë dhe jo adekuate e resurseve ujore në krahasim me nevojat.

Korniza ligjore për ujërat, në përgjithësi përmbush relativisht mirë nevojat për menaxhimin, zhvillimin dhe shfrytëzimin e qëndrueshëm të resurseve ujore, ku qëllimi i këtij ligji ( Nr. 2004/ 24) është:

  • Të sigurojë zhvillimin dhe shfrytëzimin e qëndrueshëm të resurseve ujore, të cilat janë të domosdoshme për shëndetin publik, mbrojtjen e mjedisit dhe zhvillimin shoqëroro-ekonomik të Kosovës;
  • Të themelojë procedurat dhe parimet udhëzuese për shpërndarjen optimale të resurseve ujore, mbështetur në shfrytëzim dhe qëllim;
  • Të sigurojë mbrojtjen e resurseve ujore nga ndotja, mbishfrytëzimi dhe keqpërdorimi; dhe
  • Të përcaktojë kornizën institucionale për administrimin e resurseve ujore.

Megjithatë, një ndër komunat më të mëdha në vend, ajo e Podujevës, është përballur me mungesë të ujit të pijes prej vitesh, edhe pse në të ndodhet lumi Llap dhe liqeni artificial i Batllavës nga i cili furnizohen pjesë të ndryshme të Prishtinës.

Por, sidomos gjatë verës, rruga “Fitorja” dhe fshati Dumnicë e Poshtme, edhe pse janë të kyçura në rrjet të ujësjellësit, kanë mungesë të ujit të pijes tash e sa vjet. Ndërsa ka akoma fshatra të cilat nuk janë të kyçura në rrjetin e ujësjellësit si: Zakuti, Dobërdoli, Kërpimehi dhe fshati Revuq.

Ramë Halilaj, banor i lagjes “Fitorja”, thotë për “Zërin” se nuk ka qasje fare në ujë të pijshëm në lagjen ku ai jeton, dhe për shkak të kësaj, siç thotë ai, çdo dy javë detyrohet të udhëtojë 20 kilometra për të siguruar ujë të pijshëm nga fshatra të tjerë, kryesisht në fshatin Bajgorë, fshat ky që bën pjesë në komunën e Mitrovicës.

“Ne nuk kemi ujë të pijshëm fare në lagjen ku jetoj, dhe për shkak të kësaj detyrohem që të marrë rrugë deri në 20 kilometra për në fshatra tjerë, e më së shpeshti në Bajgorë për me siguru ujë të pijshëm”, shprehet ai.

Komuna e Podujevës përbëhet nga 76 fshatra, dhe sipas një hulumtimi të bërë nga Instituti GAP, para pak vitesh, fshatrat të cilat kanë mungesë të rrjetit të ujësjellësit në Podujevë janë Pollata, Përpellaqi, Surdulli, Breca, Hërtica, Orllani, Dumoshi, Pakashtica, Repa, Zakati, Dobërdoli, Popova, Merdarë, ndërsa Dumnica, Letanca kanë rrjet të ujësjellësit, por nuk kanë ujë.

Orllani përballet me mungesën e ujit të pijes edhe pse ndodhet buzë liqenit të Batllavës, prej të cilit furnizohet edhe një pjesë e komunës së Prishtinës.

Ushtruesi i Detyrës së Kryetarit të komunës së Podujevës, Nexhmi Rudari, thotë se problemi kryesor i mungesës së rrjetit të ujësjellësit në komunën që ai drejton aktualisht, qëndron tek kapacitetet e ujësjellësit për ta furnizuar Podujevën me sasinë e nevojshme të ujit të pijes, dhe se për këtë janë në bisedime me Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit për ndërtimin e një stacioni të pompimit për furnizimin e disa pjesëve me ujë.

“Problemi kryesor qëndron tek kapacitetet e ujësjellësit për ta furnizuar Podujevën me sasinë e nevojshme të ujit të pijes. Një problem tjetër është që konfiguracioni i terrenit nuk lejon që disa fshatra të furnizohen me ujë nga rezervuari ekzistues kështu që jemi në bisedime me Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit për ndërtimin e një stacioni të pompimit për furnizimin e disa pjesëve me ujë si fshatrat Dumnicë e Poshtme, Letanc, Obrançë etj.”, thotë ai për “Zërin”.

Ndërkaq, fshatrat tjera të kësaj komune, të cilat kanë problem me ujë të pijshëm dhe ujë në përgjithësi, zgjidhjen e bëjnë me hapjen e puseve individuale.

Lidhur me këtë, Rudari shton se edhe për vitin në vijim është planifikuar buxhet për zgjerimin e rrjetit të ujësjellësit për të përmirësuar furnizimin me ujë, si dhe, siç thotë ai, planifikohen të gjinden burimeve të tjera alternative si shfrytëzimi i burimeve të rrjedhshme po ashtu edhe i ujërave nëntokësore.

“Ne edhe për vitin në vijim kemi planifikuar buxhet për zgjerimin e rrjetit të ujësjellësit dhe besojmë që në bashkëpunim edhe me KRU-në do të arrijmë që të përmirësojmë furnizimin. Po ashtu, planifikojmë edhe gjetjen e burimeve të tjera alternative, si shfrytëzimi i burimeve të rrjedhshme po ashtu edhe i ujërave nëntokësore. Një pjesë e Podujevës edhe tani furnizohet me ujë nga burimet nëntokësore”, thotë ai.

Zonat urbane të qytetit gjatë katër viteve të fundit janë përballur me reduktime të shpeshta dhe të gjata të ujit. Në bazë të hulumtimit nga USAID/DEMI, rreth 21% e qytetareve të Podujevës kanë deklaruar se uji u ndalet deri në katër orë gjatë ditës, 16% deri në dhjetë orë, afro 10% më shumë se 11 orë gjatë ditës, ndërsa 41% kanë deklaruar se nuk kanë reduktime.

Donjeta Hyseni, edhe pse jeton në qendër të qytetit të Podujevës, tregon se shpesh kanë reduktime të ujit, mirëpo tash e sa kohë këtë ujë nuk e përdorin për pije, pasi sipas saj, me cilësor është ai në Bajgorë prej nga edhe e marrin ujin zakonisht.

“Kemi shpesh reduktime të ujit, por nuk e përdorim ujin e ujësjellësit për pije tash e një kohë, pasi e marrim në Bajgorë, ngase është më cilësor”, shprehet ajo.

Ndërkohë që në Podujevë pritet të mbahen zgjedhjet komunale më 22 nëntor, kandidati për kryetar komune nga ana e Vetëvendosjes, Shpejtim Bulliqi, thotë se pushteti lokal i deritanishëm ka 15 vite që u ka premtuar sigurimin e ujit të pijshëm fshatit Kërpimeh, por ende s’ka zgjidhje për ta. Sipas tij, Podujeva ka resurse ujore për banorët e saj, por problemi qëndron në menaxhimin e tyre.

“Ka mbi 15 vite që pushteti lokal u ka premtuar banorëve e lokaliteteve të Kërpimehut me rrethinë se do ua sigurojë ujin e pijshëm, madje edhe kanë participuar financiarisht banorët e asaj ane, por fatkeqësisht edhe sot e kësaj dite problemi nuk është zgjedhë. Podujeva ka resurse ujore për banorët e saj vetëm se duhet menaxhuar si duhet me to”, u shpreh Bulliqi për “Zërin”.

Për më tepër, Bulliqi shton se pjesa më e madhe e fshatrave të Llapit tashmë janë të kyçura në Ujësjellësin Rajonal “Prishtina”, por në ato pjesë të komunës ku mungon qasja në ujë të pijshëm, sipas tij do të diskutohet që të gjendet një zgjidhje për përdorimin e resurseve alternative ujore që ekzistojnë në ato pjesë.

“Ne mendojmë se duhet të ulemi dhe t’i çasemi këtij problemi, të diskutohen mundësitë e tejkalimit të atyre pengesave që janë dhe të ketë mundësi që ato potenciale që ekzistojnë atje të shfrytëzohen si të mira të përbashkëta dhe në dobi të qytetarëve të asaj ane. Pjesa më e madhe e fshatrave të Llapit janë të kyçur në Ujësjellësin Rajonal ‘Prishtina’ nga ku furnizohen me ujë”, deklaroi Bulliqi për “Zërin”.

Sipas Planit Lokal Komunal për Veprim në Mjedis, Podujeva furnizohen me ujë nga dy drejtime: nga fabrika e ujit në Shajkovc dhe nga sistemet e pompimit nga puset e Peranit.

Sistemi i ujësjellësit qendror të Podujevë menaxhohet nga KRU “Prishtina”. 28.49% apo 10853 banorë nuk furnizohet me ujë të pijshëm nga sistemi qendror, por nga sistemet e vogla lokale dhe puse individuale. Në këtë dokument të Komunës së Podujevës, thuhet po ashtu se cilësia e këtyre ujërave është jo e sigurt, dhe se rezultatet flasin për nivel të lartë të kontaminimit, ku 65 % janë ujëra jo të pijshëm. /Zëri