Lajçaku, i kënaqur me raundin e sotëm të bisedimeve

Lajçaku, i kënaqur me raundin e sotëm të bisedimeve

Aktuale October 29, 2020 - 17:25

I ngarkuari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, pas takimit që ka zhvilluar me koordinatorin e Kosovës për dialogun Kosovë-Serbi, Skender Hyseni, dhe atë të Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë se palët kanë bërë një hap tutje drejt normalizimit të marrëdhënieve.

Përmes një postimi në “Twitter”, Lajçaku theksoi se ky është takimi i parë ku mori pjesë edhe koordinatori i ri serb, pasi Marko Gjuriq u transferuar në ambasadën serbe në SHBA.

“Sot bëmë edhe një hap drejt marrëveshjes për normalizim gjithëpërfshirës duke mbajtur raundin e dytë të bisedimeve për pretendimet financiare dhe ato pronësore. Dhe kjo ishte hera e parë për kryenegociatorin serb, Petar Petkoviq, që iu bashkua diskutimeve. Do të vazhdojë së shpejti”, tha Lajçaku në postimin e tij.

Më herët u raportua se Serbia në këtë takim ka kërkuar që Asociacioni i komunave me shumicë serbe të ketë kompetenca ekzekutive.

“Pa formimin e Asociacionit, ne nuk mund të përparojmë në dialog. Ne do të shohim se si pala e Prishtinës do të veprojë tani për këtë çështje. Ajo flet për mundësinë e formimit, siç e ka përcaktuar Gjykata Kushtetuese, e cila është e papranueshme, sepse për të nuk është rënë dakord në Bruksel, nuk është pjesë e parimeve të dakorduara në vitin 2015. Diçka që mund të quhet OJQ (Organizatë Joqeveritare), nuk na duhet, na duhet një institucion serioz, Asociacioni i Komunave me shumicë serbe me kompetenca ekzekutive”, ka thënë Petkoviq.