Pas shumë diskutimesh, nga KQZ-ja regjistrohet si parti politike “Yenilikçi Türk Hareket Partisi” (YTHP)

Pas shumë diskutimesh, nga KQZ-ja regjistrohet si parti politike “Yenilikçi Türk Hareket Partisi” (YTHP)

Aktuale October 29, 2020 - 15:56

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka mbajtur mbledhjen e sotme, ku është diskutuar për organizimin e votimit të personave që janë të infektuar me COVID-19 në zgjedhjet për kryetar të Podujevës dhe Mitrovicës Veriore, aty është vënë në shqyrtim edhe vendimi i KQZ-së për refuzimin e regjistrimit të partisë “Yenilikçi Türk Hareket Partisi" (YTHP).

Me 9 vota për dhe 1 kundër është regjistruar nga KQZ-ja si parti politike “Yenilikçi Türk Hareket Partisi”. Kjo ka ndodhur pasi vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa e cila kishte anuluar vendimin e KQZ-së që e kishte refuzuar ta regjistronte këtë parti.

Mirëpo, kundër kësaj ishte anëtari i KQZ-së, Rifat Krasnic, nga partia KDTP, i cili ka thënë që kjo parti të mos regjistrohet.

“Ato nënshkrime 99 për qind asnjë nuk përfaqëson komunitetin turk. Donë komuniteti turk që jeton në Kosovë me e bë copa-copa”, tha ai në këtë mbledhje.

Ndërkaq, që kjo parti të regjistrohet ka kërkuar anëtari i KQZ-së, nga Lëvizja Vetëvendosje, Sami Kurteshi i cili ka thënë se PZAP me vendimin e vet ka vërtetu një absurd të KQZ-së.

Kurteshi tha se si institucion shtetëror KQZ-ja ka mohuar esencën e demokracisë në Kosovë.

“PZAP me vendimin e vet e ka vërtetu një absurd të KQZ-së, KQZ si institucion shtetëror që do të duhej të motivonte demokracinë ka marrë vendim për një çështje që është thelbi I demokracisë që është pluralizmi mos me regjistru një parti politike që I plotëson të gjitha kushtet ligjore, dhe ky nuk është rasti i parë. Absurdi i demokracisë është që me vota demokratike mohohet esenca e demokracisë”, tha ai.

Ndërsa ditë më parë, partia “Yenilikçi Türk Hareket Partisi (YTHP)” ka reaguar përmes një komunikate drejtuar mediave që KQZ-ja ka refuzuar që të regjistrojë partinë “Pa arsyetim, Pa bazë ligjore dhe Pa asnjë sqarim”, teksa kanë sqaruar se ZRPPC-ja ka propozuar si parti politike, pasi që nuk ka pasur asnjë mungesë të materialit apo shkelje të kushtetutës.

Ndërsa sot, partia “Yenilikçi Türk Hareket Partisi”, në një përgjigje për “Zërin” ka thënë se ankesën e kanë bërë edhe në PZAP - Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa. Ndërsa sipas tyre, anëtarët e Bordit të KQZ-së nuk kanë vepruar me parime ligjore, por me interesa politike./Zëri