U përmend vëllai i tij në vjedhjen e dymilionëshit, reagon Zejnaj

U përmend vëllai i tij në vjedhjen e dymilionëshit, reagon Zejnaj

Aktuale October 23, 2020 - 21:17

Ish-shefi i kabinetit të ish-ministrit të Infrastrukturës, Palë Lekaj, Argjend Zejnaj ka reaguar pas lajmeve se vëllau i tij është i përfshirë në vjedhjen e mbi dy milionë eurove nga Thesari i Shtetit.

Zejnaj përmes një postimi në “Facebook”, ka thënë se do të padisë median e cila sipas tij ka shpifur për vëllaun e tij, teksa thotë se nuk e njeh dhe asnjëherë nuk i ka takuar pronarët e kompanisë të cilët po hetohen për skandalin e dymilionëshit.

“Përkitazi me shpifjen e insajderit, e cila si kundërpeshë do të marr një padi në gjykatë. Vehbi Kajtazi, ka qenë shok dhe punëtor i vellait tim dhe besoj na njeh shumë mirë, nëse ne jemi familje e këtyre punëve të pista, për të cilat na ka përfolur në portalin e tij, mua, vellain dhe kompaninë e tij, “KREATIV”. Asnjëherë në jetë se kam taku, se kam njohur dhe as që e njoh, kompaninë dhe ose pronarin e kompanisë e cila po hetohet për skandalin e 2 milion eurove”, ka shkruar ai.

Bëjmë të ditur se sot portali Insajderi ka publikuar lajmin për 17 llogaritë në të cilat janë shpërndarë paratë e vjedhura nga Thesari i Shtetit, teksa thuhet se në këto llogari paratë janë shpërndarë në rreth 50 llogari tjera ku kanë cekur firma e individë të cilët kanë kryer blerje të ndryshme.

“Një emër tjetër tregtar i lidhur me njerëz të politikës, e që implikohet në skemën e vjedhjes nga Thesari, është “KREATIV” Sh.P.K. Kjo ndërmarrje private është pronë e Astrit Zejnajt, vëllait të Argjend Zejnajt, anëtarit të Këshillit Drejtues të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Gjatë Qeverisë Haradinaj (2016-2019), Argjend Zejnaj shërbeu si shef i Kabinetit të Pal Lekajt, ish-ministrit të Infrastrukturës. Pikërisht nga linja buxhetore e kësaj ministrie u tërhoqën paratë, të cilat më pastaj u përdorën për kryerjen e pagesave ilegale nga Thesari i Shtetit për kompaninë “LDA Group”. “KREATIV” Sh.P.K. është e regjistruar në Prishtinë në vitin 2016. Sipas regjistrit të Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve, drejtor i saj figuron Astrit Zejnaj, ndërkaq aksione në kompani zotëron edhe Arjeta Selmanaj”, shkroi Insajderi./Zëri