Selimi në Forumin BE-Ballkan Perëndimor: COVID-19 ka ndikuar në qasjen fizike në drejtësi
Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, ka marrë pjesë në Forumin Ministror ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor për punë të drejtësisë të kryesuar nga Ministrja e Drejtësisë dhe Mbrojtjes së Konsumatorëve së Republikës Federale të Gjermanisë, Christine Lambrecht.
Në këtë Forum, është diskutuar për ndikimin e pandemisë COVID-19 në sistemin e drejtësisë dhe të drejtat themelore, përdorimi i teknologjisë së komunikimit në distancë (video-konferencë) dhe qasja në drejtësi në epokën digjitale, si dhe sundimi i ligjit dhe reformat gjyqësore.
"Gjatë këtij Forumi, ministri Selimi tha se Pandemia COVID-19, ka ndikuar edhe në qasjen fizike në drejtësi por sipas tij, është siguruar që masat e ndërmarra nga institucionet e Kosovës të mos sjellin kufizime dhe bllokim të punës në sistemin e drejtësisë", bëhet e ditur në njoftimin e dërguar për media.
E njëra nga këto masa sipas ministrit Selimi, është mbajtja e seancave gjyqësore duke përdorur teknologjitë e komunikimit në distancë, të cilën e kanë praktikuar edhe disa prej gjykatave në Kosovë. /Zëri