Nagavci reagon ndaj Mustafës: Raportimi i kryeministrit është përgjegjësi e tij

Nagavci reagon ndaj Mustafës: Raportimi i kryeministrit është përgjegjësi e tij

Aktuale October 21, 2020 - 13:08

Sot para se të niste seanca e Kuvendit të Kosovës, ku kryeministri Avdullah Hoti ishte thirrur në tri interpelanca, kreu i LDK-së, Isa Mustafa, tha se tri interpelanca të njëpasnjëshme të kryeministrit Hoti janë “tri mësymje kundër tij”.

Ndaj kësaj deklarate të Mustafës ka reaguar nënkryetarja e Kuvendit, Arbërie Nagavci, e cila thotë se ky reagim tregon gjendjen dëshpëruese në të cilën kanë rënë, si dhe papërgjegjësinë e plotë të tyre.

“Reagimi i kryetarit të LDK-së për interpelancat e thirrura nga deputetët e LVV-së tregon jo vetëm gjendjen dëshpëruese në të cilën kanë rënë, papërgjegjësinë e plotë, por edhe mënyrën sesi e shohin pushtetin, pra pa llogaridhënie, pa transparencë e pa kompetencë. Mustafa e di se raportimi i kryeministrit është përgjegjësi e tij, ndonëse Hoti është kryeministër jolegjitim, por ai zgjedh ta quajë ‘mësymje kundër kryeministrit Hoti’”, ka shkruar ajo në një postim në “Facebook”, përcjell “Zeri.info”.

Tutje, Nagavci tha se Mustafa “viktimizohet e mundohet të ndihmojë vartësin e tij duke folur me gjuhën e partnerit të tij të vjetër, Thaçi”.

“Njëjtë fliste dhe ai: ‘Jeni kundër Amerikës’. E në të njëjtën kohë vazhdon angazhimin për të shtyrë përpara ‘Zajednicën’, projektin e nisur nga Thaçi e të vazhduar nga ai vetë. Mustafa e di se sot me kryeministrin jolegjitim nuk janë as 60 deputetë, as pjesa dërrmuese e qytetarëve, andaj dhe mundohen të ikin nga përgjegjësia dhe të shmangin zgjedhjet. Gjithë çfarë u ka mbetur është të fshihen si zakonisht në deklarata për kinse miqësinë, ndonëse të pabaza e të paqena”, theksoi nënkryetarja e Kuvendit, Arbërie Nagavci. /Zëri