OKB-ja sot shqyrton raportin 6-mujor të Guterresit për gjendjen në Kosovë

OKB-ja sot shqyrton raportin 6-mujor të Guterresit për gjendjen në Kosovë

Aktuale October 21, 2020 - 09:39

Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të mblidhet sot për të diskutuar rreth raportit të ri gjashtëmujor të sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, për gjendjen në Kosovë.

Guterresi në raportin e tij më të fundit ka përmendur tentimin e presidentit të Kosovës Hashim Thaçit dhe të kreut të PDK-së Kadri Veselit për të penguar punën e Gjykatës Speciale në Hagë, raporton televizioni publik serb RTS.

Ai ka vlerësuar se pandemia e koronavirusit, kriza politike dhe njoftimi për aktakuza për krime lufte kundër Thaçit e Veselit kanë trazuar edhe ashtu situatën e brishtë politike dhe të sigurisë në Kosovë, transmeton “Zeri.info”.

Kombet e Bashkuara, po ashtu, kanë thënë se në gjashtë muajt e fundit në Kosovë janë kthyer 189 persona, shumica nga të cilët serbë, si dhe kanë shtuar se nga viti 1999 janë kthyer mbi 28.000 persona.

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së në raport ka përshëndetur rinisjen e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, duke thënë se vërehet një energji e re drejt normalizimit të raporteve.

Seanca e fundit ku është diskutuar për gjendjen në Kosovë është mbajtur online më 24 prill, ku ishte prezantuar raporti i shefit të UNMIK-ut, Zahir Tanin. /Zëri