Miftaraj: Hoti dhe ministrat që e shfuqizuan Task Forcën Kundër Korrupsion kanë konsumuar nga dy vepra penale

Miftaraj: Hoti dhe ministrat që e shfuqizuan Task Forcën Kundër Korrupsion kanë konsumuar nga dy vepra penale

Aktuale October 20, 2020 - 00:11

Qeveria e Kosovës, me vendim në mbledhjen e së hënës, ka shfuqizuar task forcën kundër korrupsion, e cila ka funksionuar si njësi që prej 10 vjetësh në kuadër të Policisë së Kosovës dhe merrej me profile të larta të korrupsionit.

Për këtë veprim të Qeverisë pati shumë reagime.

I fundit në këtë varg është edhe Ehat Miftaraj nga IKD-ja, i cili tha se kryeministri Hoti, bashkë me të gjithë ministrat që votuan për shfuqizimin e kësaj task-force, kanë konsmuar nga dy vepra penale.

"Kryeministri Hoti dhe gjithë ministrat që kanë votuar sot PËR të shfuqizuar Task Forcën Kundër Korrupsion kanë konsumuar dy vepra penale, keqpërdorim i detyrës zyrtare dhe konflikt interesi", ka thënë Miftaraj, raporton Zeri.info.

Ai thotë se duhet të shkojnë së paku 10 vite që të parashkruhen këto vepra penale.

Megjithatë, ai thotë se nëse LDK-ja dhe kjo klikë politike vazhdojnë të mbesin në pushtet edhe 10 vite dhe vazhdojnë të kontrollojnë sistemin e drejtësise dhe sigurisë, mund të flenë rahat.

"POR, nëse Kosova pas tre, pesë apo shtatë viteve vendos të ndërtojë shtet ligjor, ku prokurorët dhe gjykatësit e zbatojnë ligjin në mënyrë të drejtë, pavarur dhe të paanshme, Kryeministri Hoti dhe ministrat që kanë votuar sot për të shfuqizuar Task Forcën lehtësisht mund të përballën me procedura penale dhe gjumin nuk do ta bëjnë edhe bash rahat", ka theksuar ai.

Miftaraj, si njohës i mirë i ligjeve, thotë se Qeveria nuk ka mandat të shuarjes së institucioneve pa analizë dhe pa një vlerësim adekuat dhe pa përfshirje të Kuvendit, "vetëm e vetëm të amnistojë nga arrestimi dhe procedurat penale bashkëpartiakët".

"Hoti sot dhe nesër do të marr shumë përqafime dhe duartrokitje nga bashkëpartiakët e zhytur në procedura penale por 10 vite janë të gjata", përfundoi Ehat Miftaraj. /Zëri