Shqiptarët nuk bëhen pjesë e qeverisë malazeze, “partitë qeveritare Kosovën e quajnë shtet terrorist”

Shqiptarët nuk bëhen pjesë e qeverisë malazeze, “partitë qeveritare Kosovën e quajnë shtet terrorist”

Aktuale October 19, 2020 - 20:37

Koalicioni shqiptar "Njëzëri" nuk do të jetë pjesë e qeverisë së re malazeze sepse, siç kanë thënë, nuk mund të jenë pjesë e një qeverie e cila kryesisht përbëhet nga parti dhe politikanë që nuk duan barazi të shqiptarëve në Mal të Zi dhe me të cilët dallojnë programatikisht dhe strategjikisht.

Nga ky koalicion, në një përgjigje dhënë mandatarit për formimin e qeverisë në Mal të Zi, Zdravko Krivokapiq, kanë thënë së partitë formuese të qeverisë së re nuk kanë votuar që Tuzi të bëhet komunë, e as Ligjin për përdorimin e simboleve kombëtare, raporton televizioni publik i Malit të Zi.

"Ato parti, shtetin e Kosovës e quajnë të rrejshëm, e shpesh edhe shtet terrorist, dhe nuk duan shtet qytetar por një Mal të Zi serbomadh", thuhet në përgjigjen e tyre, transmeton Zeri.info.

Sipas koalicionit shqiptar, krerët e këtyre partive, edhe në shekullin e 21-të "ëndërrojnë të marrin Shkodrën, Dubrovnikun, Pejën e Prizrenin dhe flasin për gërmimin e armëve".

"Ata anëtarësimin në NATO e konsiderojnë gabim strategjik, sikurse edhe pavarësinë e Malit të Zi. Ata mbështesin përpjekjet për të përvetësuar faltoret tona të përbashkëta, me të cilat Kisha Ortodokse Serbe godet në themelet e realitetit multietnik dhe multi-konfesional në vend", thuhet më tej në përgjigje.

Nga ky koalicion kanë thënë po ashtu se nëse deklarimet e sipërpërmendura nuk do të ishin të vërteta, ata do të ishin të lumtur.

"Nëse do të na bindnit me veprime konkrete për të kundërtën, do të ishim shumë të lumtur", është thënë nga koalicioni "Njëzëri".

Ata thanë se në Kuvend do të mbështesin çdo vendim apo akt ligjor që do të konsiderohet nga ta në interes të gjerë. /Zëri