200 punëtorëve shëndetësorë u vazhdohen kontratat edhe për 3 muaj

Aktuale October 15, 2020 - 10:25

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka vizituar sot Klinikën Infektive të QKUK-së, ku është takuar me stafin shëndetësor në kuadër të masave shtesë që po ndërmerr Qeveria për menaxhimin e situatës me pandeminë.

Zemaj ka thënë se bashkë me ushtruesin e detyrës së drejtorit të SSHKUK-së Valbon Krasniqin dhe me drejtoreshën e Klinikës Infektive Lindita Ajazaj-Berishën, por edhe me stafin menaxhues, kanë biseduar se si të ecet tutje, në mënyrë që rrjedha e pandemisë në ditët dhe muajt në vijim të mos i zërë të papërgatitura institucionet shëndetësore.

“Duke inkurajuar personelin shëndetësor në përgjithësi, por të Klinikës Infektive në veçanti dhe me qëllim të përforcimit të kapaciteteve profesionale, përveç stafit aktual, ditëve në vijim një numër i profesionistëve do të angazhohen edhe përmes rekrutimit të profesionistëve shëndetësorë që është në proces, por edhe përmes vullnetarëve të gatshëm për t’u angazhuar”, ka thënë Zemaj pas takimit.

Ai ka bërë të ditur se u janë vazhduar kontratat edhe 200 punëtorëve shëndetësorë edhe për tre muaj.

“Si ministër dhe si Qeveri e Kosovës zotohemi se do të jemi afër në çdo kohë, vlen të ceket se u janë vazhduar kontratat edhe 200 punëtorëve shëndetësorë edhe për tre muaj, po që përkrahja financiare për mantelbardhët do të vazhdojë edhe në muajt e ardhshëm”, ka bërë të ditur ministri, i cili ka falënderuar personelin mjekësor për, siç ka thënë ai, “punën e jashtëzakonshme që po bëjnë gjatë gjithë kohës”. /Zëri