GLPS-ja reagon ndaj vendimit të KPK-së për çështjen e kryeprokurorëve
Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), përmes një komunikate ka reaguar ndaj vendimeve të fundit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) në lidhje me zgjedhjen e kryeprokurorëve.
GLPS thotë se KPK-ja po e kundërshton ekzistencën e Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit dhe po e prish imazhin e Kosovës në raport me partnerët ndërkombëtarë.
“Organi përgjegjës për të menaxhuar zinxhirin më të rëndësishëm të luftës ndaj krimit e korrupsionit, KPK, së fundmi është bërë subjekt që kundërshton ekzistencën e ligjit special që parandalon konfliktin e interesit në Republikën e Kosovës, për ç’gjë, Ambasada e ShBA-së dhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë kanë braktisur monitorimin e procesit të përzgjedhjes së anëtarëve të KPK-së dhe kryeprokurorëve në njësitë prokuroriale”, thuhet në komunikatë.
Sipas GLPS-së, kjo është prishje e imazhit dhe si i tillë, i jep argument Komisionit Evropian që të rishqyrtojë pozitën e saj sa i përket heqjes së vizave në vend.
“KPK, në vend që të ishte shembull i garantimit të zbatimit minimal të parimeve të transparencës, ndalimit të konfliktit të interesit dhe integritetit të lartë moral, ajo është bërë sinonim i keqpërdorimit të pushtetit publik që ne e hasim në nivel të partive e të qeverisë. Një prishje e imazhit në përmasa të tilla i jep argument të fortë Komisionit Evropian që të rishqyrtoj pozicionin e tij sa i përket dhënies së rekomandimit për heqjen e vizave për Republikën e Kosovës”, thuhet në komunikatë.
Ata theksojnë se KPK-ja e arsyeton vazhdimin e procesit për zgjedhjen e kryeprokurorëve në njësitë prokuroriale duke mos njohur ekzistencën e e këtij ligji.
“Në mbledhjen e fundit, KPK u deklarua që nuk ekziston legjislacion pozitiv që e rregullon ndalimin e kandidimit të ish anëtarëve të KPK-së në pozita drejtuese në prokurorinë e shtetit. Kjo i bie që praktikisht KPK po thotë që Ligji për Parandalimin e Konfliktit të Interesit nuk zbatohet mbi ta”, thuhet tutje në komunikatë.
GPLS-ja ka reaguar edhe ndaj ministrit të Drejtësisë Selim Selimi, pasi që sipas tyre ky i fundit iu bashkëngjit këtij argumenti.
“Në të njëjtën linjë, Ministri i Drejtësisë Selim Selimi i’u bashkangjit këtij argumenti, kinse duke pranuar që sa më shpejtë të adresohen këto pretendime përmes ndryshimeve ligjore. Ju rikujtojmë të dy institucioneve që Ligji për Parandalimin e Konfliktit të Interesit zbatohet pa asnjë dilemë mbi sistemin prokurorial dhe çdo organ tjetër publik të shtetit. Asnjë përjashtim nuk e bën Ligjin në fjalë të pazbatueshëm mbi KPK-në”, thuhet në komunikatë.
GLPS i rikujton KPK-së që një pretendim i tillë është në suaza të pastërta të abuzimit me pushtetin dhe vepër penale pa asnjë ekuivok.
" I kërkojmë KPK-së të tërhiqet urgjentisht nga një qëndrim i tillë, të anuloj konkurset në fjalë, dhe të njoh ekzistencën e Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit si legjislacion pozitiv që përfshin edhe sistemin prokuroria”, thuhet në komunikatë.
Ndërsa ministrit Selimi i kërkojnë distancimin nga kjo çështje.
“Ministrit Selimi i kërkojmë të distancohet nga minimizimi i problemit, dhe të mos bëhet bashkëpuntor në procese të tilla të diskutueshme. Kurse KPK të mos vazhdoj me asnjë konkurs të radhës pa përmbushur kushtet që të rikthehen në monitorim Ambasada e ShBA-së dhe Zyra e BE-së. Vetingu është e vetmja zgjidhje për ç’kapjen e sistemit të drejtësisë. Sjelljet e fundit të KPK-së po e forcojnë në çdo moment një argument të tillë”, përfundon komunikata. /Zeri.info