Nga 20 mijë gra e vajza të dhunuara gjatë luftës vetëm 850 kanë përfituar statusin

Nga 20 mijë gra e vajza të dhunuara gjatë luftës vetëm 850 kanë përfituar statusin

Aktuale October 03, 2020 - 14:00
Image

Komisioni qeveritar për verifikimin e statusit për personat e dhunuar gjatë luftës së fundit në Kosovë ka pranuar rreth 1300 aplikacione për njohjen e statusit nga ana e viktimave.

Prej tyre rreth 850 veta kanë përfituar statusin, nga gjithsej 20 mijë viktima të dhunës seksuale gjatë vitit 1998-99 sa ka deklaruar Instituti për Hulumtimin e Krimeve të Luftës në Kosovë.

Drejtoresha e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), Feride Rushiti në një intervistë për “Zërin” ka thënë se organizata që drejton ka dorëzuar 321 aplikacione në komision dhe prej tyre 240 veta kanë fituar statusin për pension të plotë. Ndërsa, nëntë prej tyre, ajo thotë se janë në rishqyrtim, por dy raste janë refuzuar.

“Sa jemi ne të informuar prej vitit 2018 e deri më sot janë diku rreth 1300 aplikacione që janë dorëzuar në total, ndërsa janë përfitues rreth 850 veta...Këto aplikacione që janë dorëzuar në Komision, një numër prej tyre dorëzohen nga qendrat që janë të licencuara nga Ministria për Punë dhe Mirëqenie Sociale, ku hynë dhe organizata jonë. Deri më tani ne si organizatë më konkretisht i kemi dorëzuar 321 raste, prej tyre 240 raste kanë fituar statusin dhe gëzojnë pension të plotë, nëntë prej tyre janë në rishqyrtim dhe dy prej tyre janë refuzuar”, ka potencuar Rushiti.

Për të shqyrtuar një rast, Komisioni qeveritar vonon 6 muaj deri në një vit e që kjo paraqet shqetësim për drejtoreshën e kësaj qendre, Rushitin, e cila thotë se ky komision duhet të punojë me dinamikë më të përshpejtuar sepse sipas saj ka pasur gra të cilat kanë qenë në procedurë aplikimi(vlerësimi), mirëpo kanë ndërruar jetë duke pritur për një vendim të komisionit.

Vendimi, siç shprehet Rushiti nuk ndryshon jetën e këtyre viktimave, por është e rëndësishme për to që shteti t’ua njeh vuajtjen e tyre.

“Gjatë këtij viti numri ka rënë dukshëm për shkak të mbylljes së komisionit për një periudhë kohore dhe për shkak të mos lëvizjes së viktimave dhe kjo paraqet një lloj shqetësimi për ne për faktin që me kalimin e kohës kanë filluar të vonohen në shqyrtim. Për t’u shqyrtuar një rast pranë komisionit mund të merr kohë që zgjatë 6 muaj deri në 1 vit dhe kjo e rrit ankthin, sepse për ta marrë vendimin për të ndarë përvojën me Komisionin qeveritar natyrisht që është një varg diskutimesh me familje për ta marr guximin të ballafaqohen së pari me komisionin. Prandaj mendoi që qeveria duhet urgjentisht të ndikojë që puna të jetë me një dinamikë më të përshpejtuar për faktin se disa nga gratë fatkeqësisht që kanë qenë në aplikim edhe kanë ndërruar jetë duke pritur për t’iu dhënë një vendim. Jo që vendimi u ndryshon jetën, por mbi të gjitha është e rëndësishme që shteti njeh vuajtjen e tyre”, tha ajo.

Ndërkaq, ajo ka deklaruar edhe për shumën të cilën këto gra e posedojnë si pension të tyre që shteti u ndanë, teksa thotë se një shumë e tillë nuk i bën që të harrojnë të kaluarën sepse, sipas saj jeta e shumë vajzave ka përfunduar në momentin kur e kanë përjetuar dhunën nga forcat serbe.

“Shuma të cilën ato e gëzojnë është 230 euro. Nuk është një shumë që i bënë të harrojnë të kaluarën sepse për shumë nga këto vajza, jeta ka përfunduar në momentin kur e kanë përjetuar tmerrin e luftës”, ka përfunduar drejtoresha e QKRMT-së, Feride Rushiti.

Instituti për Hulumtimin e Krimeve të Luftës në Kosovë ka identifikuar 49 lokacione ku janë kryer dhunime ndaj femrave. Sipas të dhënave, janë të dhunuara rreth 20 mijë femra. Por, mbetet një dosje e madhe e krimit të pandëshkuar. /Zëri