Haradinaj kërkon votat e opozitës për projektligjin e rimëkëmbjes ekonomike

Haradinaj kërkon votat e opozitës për projektligjin e rimëkëmbjes ekonomike

Aktuale September 21, 2020 - 14:50

Kuvendi i Kosovës po vazhdon seancën e ndërprerë të premten e kaluar, ku deputetët e pozitës kanë kërkuar që të kalojë në lexim të parë projektligji për rimëkëmbjen ekonomike.

Këtë kërkesë e ka bërë shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Daut Haradinaj, i cili ka thënë se është presion i madh publik që të futet në rend dite ky ligj.

“Kërkojmë që të kalojë në lexim të parë dhe pastaj kushdo që ka vërejtje dhe sugjerime, le t’i inkorporojë gjatë leximit të dytë, është mundësia e amendamentimit”, tha Haradinaj.

Ai ka thënë se ekspertët e ekonomisë e dinë saktësisht peshën e këtij ligji, andaj duhet dhënë votën qoftë edhe kundër që të krijohet një shumicë për të kaluar ky ligj në lexim të parë.

“Thirrja jonë publike për kolegët tanë, qofshin të pozitës ose të opozitës, është që t’i japim mandat në lexim të parë, pastaj në lexim të dytë të shohim se çka mund të ndryshojmë. Edhe vota kundër është votë. Deputetët që janë ekspertë të ekonomisë e dinë saktësisht peshën e këtij ligji, andaj të japim votën qoftë edhe kundër, por të krijojmë një shumicë që të kalojë ligji në lexim të parë”, tha Haradinaj. /Zëri