Hoti nesër e pret Grenellin me delegacionin e DFC-së

Hoti nesër e pret Grenellin me delegacionin e DFC-së

Aktuale September 20, 2020 - 18:33

Bashkë me delegacionin e Qeverisë së SHBA-së, të udhëhequr nga Kryeshefi Ekzekutiv i Korporatës Ndërkombëtare të Financave dhe Zhvillimit në SHBA (DFC) Adam Boehler, nesër për vizitë në Kosovë do të qëndrojë i dërguari special i SHBA-së për dialogun Kosovë - Serbi, Richard Grenell.

Pas konfirmit të vizitës nga Korporata Ndërkombëtare e Financave (DFC), edhe kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, e ka konfirmuar se do të takohet me ta.

Kështu thuhet në njoftim nga Zyra e Kryeministrit.

“Nesër me datë 21 shtator 2020, Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Avdullah Hoti, pret në takim delegacionin e Qeverisë së SHBA-ve, të udhëhequr nga Kryeshefi Ekzekutiv i Korporatës Ndërkombëtare të Financave dhe Zhvillimit në SHBA (DFC) Adam Boehler, të cilit do t’i bashkohet edhe i dërguari special i SHBA-së për dialogun Kosovë - Serbi, Richard Grenell, përfaqësues të USAID, Kryetarin e Bankës së Eksport-Importit të Shteteve të Bashkuara (EXIM), si dhe zyrtarë të tjerë të lartë të qeverisë nga Departamentet e Energjisë dhe Tregtisë në SHBA”, thuhet në reagim.

Kjo vizitë sipas ZK-së bëhet në kuadër të Marrëveshjes për normalizimin ekonomik mes Kosovës dhe Serbisë. /Zëri