Krerët institucionalë nderojnë veprën e gazetarit Sulejman Gashi

Krerët institucionalë nderojnë veprën e gazetarit Sulejman Gashi

Aktuale September 18, 2020 - 15:44

Sot në sallën “1 Tetori” është mbajtur mbledhja komemorative kushtuar gazetarit të njohur Sulejman Gashi, i cili ka vdekur para një jave.

Jetën dhe veprën e Gashit e kanë vlerësuar lartë krerët institucionalë të shtetit, ku kryeministri i vendit Avdullah Hoti në këtë mbledhje tha për gazetarin Gashi se ishte i veçantë në profesionin e tij, teksa thotë se ishte ndër më të zgjedhurit e kohës së tij.

“Disa njerëz janë të paracaktuar për të krijuar vepra mbresëlënëse dhe kujtime të mira për të gjithë. Ata kur ndahen nga kjo botë sigurisht krijojnë zbrazëti të madhe edhe për familje, edhe për miqtë e ngushtë, por edhe për shoqërinë në tërësi. Pa dyshim, Sulejman Gashi ishte i veçantë edhe në profesionin e tij dhe më gjerë, ishte ndër më të zgjedhurit e kohës së tij”, potencoi ai, duke thënë se Gashi do të mbetet përherë një frymëzim për brezat e rinj.

Ndërsa në këtë mbledhje edhe kryeparlamentarja Vjosa Osmani ka folur për jetën dhe veprën e gazetarit Sulejman Gashi, për të cilin tha se jetonte me gazetarin, ku sipas saj ishte profesionist i shkëlqyer.

“Ai e deshi jashtëzakonisht shumë këtë vend. E ëndërroi, por edhe e projektoi. I mbeti ëndrra në gjysmë, sikurse dhe e shumë kolegëve të tjerë të profesionit, që Kosovën që e lanë pas ta bëjë bashkë ashtu siç deshi dhe ashtu siç ëndërronte. Kisha fatin e mirë ta takoja çdoherë kur vija në SHBA. Edhe si studente ishte afër çdoherë, por edhe si zyrtare publike ishte çdoherë afër nesh, na udhëzonte”, tha ajo.

Për gazetarin Sulejman Gashi ka mbajtur fjalim në mbledhjen komemorative edhe ish-kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, i cili tha se Gashi i dha kontribut të jashtëzakonshëm për rrugëtimin e shtetësisë së Kosovës.

“Sot jemi këtu për t’i bërë nderime veprës së gazetarit dhe intelektualit të njohur Sulejman Gashit, të cilin e prisnim t’i kthehej familjes, profesionit që i qëndroi besnik për t’u kthyer kombit që i shërbeu me besnikëri e vendosmëri gjatë gjithë jetës e nuk kishte si të ndodhte ndryshe”, ka thënë Krasniqi. /Zëri