Ambasada e Kosovës jep sqarime për ata që udhëtojnë drejt Hungarisë pas 1 shtatorit

Ambasada e Kosovës jep sqarime për ata që udhëtojnë drejt Hungarisë pas 1 shtatorit

Aktuale August 31, 2020 - 20:20

Qeveria e Hungarisë ka marrë vendim për shtrëngim të masave nga 1 shtatori për parandalim të përhapjes së pandemisë COVID-19.

Ambasada e Kosovës në Hungari, ka njoftuar se sipas rregullores së fundit të Qeverisë së Hungarisë lidhur me kontrollet dhe kufizimet e udhëtimit, e cila do të hyjë në fuqi me datë 1 shtator 2020 (e martë), të gjithë qytetarët e huaj që nuk posedojnë leje-qëndrim të shtetit hungarez me afat kohormë shumë se 90 ditë, nuk mund të hyjnë në Hungari, transmeton Zeri.info.

Kjo rregullore i përjashton disa kategori, si; studentë të huaj të cilët duhet të posedojnë vërtetim që studiojnë rregullisht në Hungari, transportuesit e mallrave, sportistë profesionistë me punë në Hungari, ata që kryejnë vizita zyrtare, ata që vërtetojnë se në gjashtë muajt e fundit kanë qenë të infektuar me virusin Covid-19, personat të cilët duhet të paraqiten para gjykatës për qëllime juridike, të vërtetuara me dokumente zyrtare nga një gjykatë hungareze, ata që kryejnë një biznes për të cilin kanë një certifikatë qeveritare, ata të cilët vërtetojnë se janë të ftuar në ngjarje familjare, siç janë dasmat, funeralet ose pagëzimet, pjesëmarrësit e ngjarjeve të rëndësishme sportive, kulturore ose kishtare (jo spektatorët!).

“Personat e kategorive të lartcekura, janë të obliguar të kërkojnë leje paraprake, të cilën mund ta bëjnë në mënyrë elektronike në anglisht ose përmes një përfaqësuesi ligjor nëpërmjet kërkesës/aplikacionit online që duhet të plotësohet në faqen zyrtare të Policisë së Hungarisë”, thuhet në njoftim.

Të gjithë ata që hyjnë dhe kanë për qëllim qëndrimin në Hungari, përfshirë këtu edhe kategoritë në fjalë, janë të detyruar të vetizolohen për 14 ditë.

“Në kufi bëhet një ekzaminim mjekësor. Nëse ka dyshime të infeksionit me Covid-19, qytetarët do të karantinohen në një vend të caktuar nga autoritetet hungareze. Nëse nuk ka dyshime të infeksionit, atëherë do t’ju kërkohet të vetizolohen për 14 ditë. Nga ky detyrim mund të përjashtohen, vetëm nëse mbrenda 5 ditëve, me 48 orë diferencë mes testeve, pas hyrjes në Hungari kanë kryer 2 teste negative të SARS-CoV-2. Shteti hungarez do të mbulojë kostot e lidhura me hulumtimin e kontakteve, por jo kostot e testeve të atyre që hyjnë nga jashtë”, thuhet më tej në njoftimin e ambasadës kosovare në Hungari.

Po ashtu bëhet e ditur se kalimi transit i të huajve nëpermjet territorit të Hungarisë është i mundshëm, dhe pa kufizime kohore, për të gjthë ata të cilët posedojnë leje-qëndrim apo vizë pune të ndonjë shteti të zonës Schengen.

Por, për ata shtetas që posedojnë vizë turistike Schengen, duhet dëshmuar/vërtetuar qëllimi (jo turistik) i udhëtimit me dëshmi apo ftesë nga vendi e destinacionit të udhëtimit, dhe se njëkohësisht shteti fqinj me Hungari lejon udhëtimin në fjalë. Po ashtu, Ambasada njofton se këtyre kategorive të fundit, gjatë kalimit transit, u lejohet shfrytëzimi vetëm i rrugës/autostradës përkatëse, me mundësi ndalimi vetëm në pikat e karburantit, dhe brenda 24 orëve duhet larguar nga territori i Hungarisë.

"Çdo mospërfillje e rregullave të lartcekura, nënkupton gjobitje ose kthim mbrapa të qytetarëve”, përfundon njoftimi. /Zëri