Thaçi publikon pamje nga miniera e Trepçës, e quan “Thesar i Kosovës”
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka zgjedhur që mëngjesin e sotëm të prezantojë minierën e Trepçës me pasuritë e shumta të saj.
Ai në llogarinë e tij në“Facebook”, ka bërë publike pamje nga kjo minierë të cilën e quan “Thesar i Kosovës”, shkruan “Zeri.info”.
Thaçi përmes të njëjtit postim po ashtu ka shkruar edhe se minatorët “Ditën e nisin duke shpresuar në fatin e mirë, deri sa punojnë në thellësitë e minierës së Trepçës”.
“Trepça, thesar i Kosovës. Ditën e nisin duke shpresuar në fatin e mirë, deri sa punojnë në thellësitë e minierës së Trepçës. Minatorët, simbol i ndershmërisë dhe punës së pandalshme për ta ndërtuar Kosovën”, thotë Thaçi.
Trepça është një minierë e lashtë plumbi, zinku,argjendi, kristaleve dhe mineraleve të ndryshme në Kosovë, gjegjësisht në komunën e Mitrovicë.
Trepça në kohën e ish-Jugosllavisë ishte njëri ndër motorët e ekonomisë jugosllave.
Hulumtimi i parë gjeologjik filloi në vitin 1924. Në vitin 1930, filloi prodhimi dhe mineralizimi i sulfidit të plumbit dhe zinkut në këtë burim. Gjatë Luftës së Dytë Botërore gjermanët mbanin Minierën e Trepçës në gjendje pune, por me një nivel të reduktuar të prodhimit. Nga 1945 deri në vitin 1990, miniera ka punuar pa ndërprerje, me një kapacitet mesatar prodhues prej rreth 600,000 ton në vit.
Pas luftës, gjatë periudhës 2000-2004, miniera ndaloi së prodhuari, por ka hulumtuar dhe është përgatitur për punëtori të prodhimit.
Kështu në vitin 2005 miniera filloi prodhimin e plumbit dhe zinkut me kapacitet minimal. /Zëri