Kjo është forma se si është planifikuar të mbahet mësimi në Prishtinë

Kjo është forma se si është planifikuar të mbahet mësimi në Prishtinë

Aktuale August 13, 2020 - 08:00

Komuna e Prishtinës, respektivisht Drejtoria e Arsimit, është mobilizuar që më 1 shtator të fillojnë mësimin me tre skenarët e nxjerrë nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Shpresa Shala, ka treguar se në takimin online që kanë mbajtur me kryeministrin e vendit Avdullah Hotin, me kryetarët e komunave dhe me Ministrinë e Arsimit janë dakorduar që mësimi të fillojë në shtator. Megjithëse ajo ka theksuar se skenari i parë për kthimin e nxënësve në bankat shkollore do të jetë vështirë i zbatueshëm në shkollat me shumë nxënës, por që si të rëndësishme e shohin kthimin e nxënësve që vijojnë klasën e parë dhe të dytë.

“Ne kemi pas një takim online me kryeministrin e Kosovës, kryetarët e komunave dhe me Ministrinë e Arsimit, i organizuar nga Asociacioni i Komunave të Kosovës. Ne këtë takim jemi dakorduar që mësimi të fillojë më 1 shtator. MASH-i tashmë veçse e ka bërë një udhëzues që në kuadër të këtij udhëzues janë tre skenarë të mësimit. Është mësimi në shkollë, mësimi i kombinuar, që i bie në shkollë dhe online dhe mësimi online në tërësi. Skenari i parë do të thotë që gjithë nxënësit duhet të kthehen në bankat shkollore e që në komunën e Prishtinës dhe në qytetet ku ka numër të madh të nxënësve është i paimplementueshëm. Mund të implementohet vetëm nëpër fshatra, ku ka numër të vogël të nxënësve. Skenari i dytë do të thotë që nxënësit duhet të kthehen në shkollë, por që në kushtet e qytetit të Prishtinës duhet të ndahet në dy pjesë klasa dhe një ditë të zhvillohet mësimi online, kurse në ditën tjetër fizikisht në shkollë. Skenari i tretë do të thotë se në rast se ka infektime të mëdha, qoftë të nxënësve ose të mësimdhënësve, atëherë komplet shkolla shkon në mësim online, ose nëse ka raste të shumta në shkolla atëherë, komplet shkolla shkon online”, shpjeguar ajo për “Klan Kosovën”.

Shkak situatës së krijuar nga COVID-19, nuk do të ketë vendime të njëjta për të gjitha shkollat, por gjithçka do të varet nga specifikat me të cilat përballen shkollat.

Shala ka treguar edhe skenarin për mbajtjen e mësimit për nxënësit e klasave të para dhe të dyta.

“Ndoshta do të ketë përparësi për klasat e para dhe të dyta. Kemi pas takime me drejtorët e shkollave dhe mësimdhënësit dhe kërkesa është që mësimi të zhvillohet çdo ditë me nga 2 orë me 45 minuta, mes dy orëve të jetë një pushim prej 30 minutash që të pastrohet ambienti dhe më pas të vjen edhe grupi i dytë i klasës, që i bie që fëmijët e klasës së parë dhe të dytë të vijnë çdo ditë në shkollë. Ne do të përpiqemi që të krijojmë kushte për gjithë fëmijët prej klasës së parë deri në të pesetën, sepse kontakti me mësuesen dhe zhvillimi i orëve mësimore e ka efektin shumë më të madh, sidomos për këto mosha, ndërsa për klasat tjera do të shkojmë me skenarin e dytë”, ka thënë Shala.

Edhe pse do të jetë sfiduese, meqë edhe shkollat në Prishtinë kanë numër të madh të nxënësve, megjithatë Shala thotë se do të përpiqen të bëjmë maksimumin për mbrojtjen e shëndetit të nxënësve.

“Është shumë sfiduese, sepse e dimë që shkollat e Prishtinës janë të ngarkuara, por do të përpiqemi të bëjmë maksimumin që të mobilizohemi për mbrojtjen e shëndetit të nxënësve, duke iu përmbajtur rekomandimeve të IKSHPK-së dhe udhëzuesit të MASH-it”, theksoi ajo.