20 vjet pavarësi, banorët e Karaçevës protestojnë në mbrojtje të kufirit (Foto)
Foto: Laura Hasani

20 vjet pavarësi, banorët e Karaçevës protestojnë në mbrojtje të kufirit (Foto)

Aktuale August 12, 2020 - 15:45

Një fëmijë mban foton e gjeneralit amerikan Wesley Clark në protestën kundër hyrjes së xhandarmërisë serbe në territorin e Kosovës, që u mbajt sot në fshatin Karaçevë.

Dhjetëra banorë të këtij fshati kanë protestuar pasi forcat serbe të policisë depërtuan në brendi të territorit të Kosovës, duke ecur rrugëve të këtij fshati të Kamenicës, i cili ndodhet në kufi me Serbinë.

Image

Patrullimi i xhandarmërisë serbe nëpër lagje tmerroi banorët, të cilët ende i kanë të freskëta vrasjet, djegiet e shkatërrimin e shtëpive nga forcat serbe gjatë luftës.

Të shqetësuar për sigurinë e tyre, banorët alarmuan institucionet pesë ditë më parë, pra në ditën kur forcat serbe u panë në fshat. Të pakënaqur me reagimin e shtetit, ata sot protestuan për të vetëdijesuar krerët e institucioneve për pasigurinë e jetës së tyre.

“Serbi, mjaft më me provokime ndaj banorëve të Kosovës”, “Kosova s’ka tokë t’i falë askujt”, “Amerikë dhe BE, ne përkrahjen tuaj e falënderojmë”, janë disa nga mesazhet e banorëve të vendosura në pankartat që mbanin në duar.

Image

Krahas pankartave, ata mbanin në duar dhe valëvisnin flamurin shtetëror, si dhe atë të vendit mik të shtetit amerikan.

Image

Ismail Kastrati, banor i fshatit Karaçevë, tha se disa herë e ka lajmëruar KFOR-in për hyrjen e xhandarmërisë.“Kam lajmëruar KFOR-in në momentin kur kanë hyrë edhe dy ushtarë serbë”, tha Kastrati. Banorët e këtij fshati, sipas tij, po shpërngulen nga frika e xhandarmërisë.

“Kufiri nuk duhet të jetë i zbrazët, por të ketë shqiptarë. Armiku serb e ka uzurpuar këtë pjesë. 10 fshatra që shkojnë me komunën e Bujanocit. Krejt janë shpërngul dhe ka mbetur shkret. Këtë uzurpim që është bërë këtu Serbia e ka bërë me qëllim”, tha Kastrati.

Image

Ai si i moshuar thotë se kufirin e mban mend deri në Medvegjë. “Deri në Medvegjë është e jona, s’ka pas serbë rreth zonës sonë”.

Gjatë ditës ishin vetëm pjesëtarët e policisë së Kosovës që dhanë mbështetje për banorët. Banorët e fshatit Karaçevë vetëm sot janë ndier më të sigurt. Pjesëtarë të Policisë së Kosovës kanë patrulluar në rrugët e fshatit si asnjëherë më parë, raporton “Zeri.info”.

Mbështetje për t’u dhënë banorëve ishte edhe ish-deputeti i LDK-së, Gani Geci.

Image

Ai ka apeluar që Forca e Sigurisë së Kosovës në koordinim me KFOR-in duhet të merren me sigurinë.

“Kuvendi i Republikës së Kosovës në vend që të merret me mbrojtjen e vendit po merret me disa individë, që janë thirrur nga Gjykata Speciale”, tha Geci në protestë, raporton “Zeri.info”. Kryetari i Komunës së Kamenicës nuk u pa askund. As ndonjë zyrtar tjetër shtetëror ose pjesëtar i shoqërisë civile.

Të premten, më 07 gusht 2020, në rrjetet sociale qarkulluan disa video, ku shihej xhandarmëria serbe tek patrullonte rrugëve të Karaçevës të komunës së Kamenicës. Karaçevasit që nga vitit 2011 dhjetëra herë kanë bartur shqetësimin për mossiguri në institucionet më të larta shtetërore, me kërkesa e njoftime, që sipas banorëve nuk janë marrë për bazë.

Image

Tash, 20 vjet nga çlirimi i Kosovës dhe 12 vjet që nga shpallja e pavarësisë dhe shtetësisë, 3200 banorët, të cilët po jetojnë nën tytat e xhandarmërisë serbe, janë lodhur dhe tashmë kanë nisur të shpërngulen.

Image

Askush nga përfaqësuesit e shtetit nuk ka vizituar banorët.

Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë - Serbi, sipas banorëve, nuk mund të ndodhë dhe as bisedime nuk mund të ketë në tavolinë derisa mbi kokat e tyre (shqiptarëve) qëndrojnë tytat e armëve të shtetit serb. Këtë e thotë për “Zërin” përfaqësuesi i Bashkësisë Lokale të Karaçevës, Selver Lenjani. E kjo nuk po ndodh me komunitetin serb që jeton në Kosovë.

Image

Më 26 qershor 2012 presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, pati pritur një delegacion të banorëve nga fshati Karaçevë, të cilët shprehën brengën e tyre për vështirësitë që i ka popullsia e kësaj zone kufitare, për shkak të mospërcaktimit në terren të kufirit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.

Image

Në këtë takim Jahjaga u kishte premtuar banorëve përkrahje në zgjidhjen e të gjitha çështjeve që ata i patën ngritur. “Politika zhvillimore e Kosovës do të ketë kujdes të veçantë për zhvillimin e vendbanimeve kufitare, duke krijuar kushte të favorshme për punë, shkollim dhe jetesë, në mënyrë që banorët të mos shpërngulen”, pati premtuar Jahjaga, madje ua dhënë fjalën se do ta bëjë edhe një vizitë në fshat, por që nuk e bëri asnjëherë. /Zëri