Komuna e Fushë Kosovës largon mbeturinat inerte në Bresje, thonë se qytetarët po ndotin ambientin
Komuna e Fushë Kosovës ka njoftuar se kanë larguar mbeturinat inerte në Bresje.
Kjo komunë përmes faqes zyrtare në “Facebook” ka thënë se ekipet mobile të Shërbimeve Pulike kanë larguar një grumbull të mbeturinave në Bresje ku sipas tyre qytetarë dhe kompanitë ndërtimore i kanë hedhur, transmeton Zeri.info
Ata thonë se mbeturinat nuk po i hedhin në vende të caktuara por po e ndotin ambientin ku sipas tyre po krijojnë mundësi në përhapjen e sëmundjeve ngjitëse.
“Ekipet mobile të Shërbimeve Publike kanë eliminuar një pikë grumbullimi të mbeturinave të shumta në Bresje, të cilat janë hedhur nga qytetarët dhe nga disa kompani ndërtimore. Në vend që të përdorin kontejnerët e vendosur për mbeturina ata po i hedhin ato pa ndonjë kontroll duke ndotur ambientin, por edhe duke krijuar mundësi të përhapjes së sëmundjeve ngjitëse”, thuhet në njoftimin e tyre.
Ndërkaq, kërkojnë nga qytetarët dhe kompanitë ndërtimore që të jenë të vëmendshëm për rrezikun që mund të shkaktojnë.
“Kjo pikë grumbullimi në Bresje edhe pse është mënjanuar disa herë, prapë po keqpërdoret. Kërkojmë nga qytetarët dhe nga kompanitë ndërtimore që të jenë të vëmendshëm për rrezikun dhe pasojat që mund të shkaktojnë, sidomos tani kur po përballemi edhe me pandeminë COVID-19”, thuhet më tej në njoftim.