Ahmeti thotë se çerdhet private nuk janë kompetencë e komunës, publiket hapen më 10 gusht

Ahmeti thotë se çerdhet private nuk janë kompetencë e komunës, publiket hapen më 10 gusht

Aktuale August 03, 2020 - 21:30

Gjatë ditës së djeshme Asociacioni i institucioneve parashkollore private protestuan para Komunës së Prishtinës për shkak se siç thonë ata nuk po pajtohen me vendimin e kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti për moshapje të çerdheve private.

Mirëpo ky i fundit përmes llogarisë në Facebook ka thënë se çerdhet private nuk licencohen, nuk regjistrohen, nuk mbikëqyren dhe nuk hapen e mbyllen nga komunat.

“Meqenëse kjo kompetencë është mbajt në Ministri të Arsimit. Pra një çerdhe private kur hapet, regjistrohet si biznes ne ARBK – nivel qendror, aplikon për licencë në Ministri të Arsimit dhe gjatë funksionimit nuk i raporton komunës, nuk mbikqyret si institucion dhe në fakt edhe zyrtarisht nuk kemi lista të tyre. Si të tilla, ato nuk mund të mbyllen nga Komuna. Në qoftë se Ministria vlerëson se janë jashtë standardeve, ato mbyllen nga Inspektorati i Minsitrisë. Në qoftë se ndalohen për shkak të pandemisë ato vendime sikurse edhe çdo vendim tjetër merret nga Ministria e Shëndetësisë, pas rekomandimit nga IKShP”, ka shkruar Ahmeti, përcjell Zëri.

Për funksionimin çerdheve, Ahmeti thotë se tani ka protokoll nga IKSHP dhe atë mund ta përdorin çerdhet private. Ndërsa në qoftë se ka problem me funksionimin e tyre, ai thotë se vendimet i merr MASH-i e në qoftë se ka problem pandemie, atë vendim e merr Ministria e Shëndetësisë.

I pari i Prishtinës ka shkruar po ashtu se prindërit e fëmijëve në çerdhet private bashkë me udhëheqësit e edukatoret e marrin përgjegjësinë për mbrojtjen nga COVID duke përdor udhëzuesin që e ka IKSHP.

Ndërkaq ka paralajmëruar se çerdhet publike dhe do ato me bazë në komunitet do të hapen më 10 gusht (me përjashtime sipas rrethanave) me protokollin e veçantë të hartuar nga Komuna.

Ahmeti ka thënë se prindërit duhet të raportojnë për gjendjen shëndetësore në raport me COVID-19 në familjet e tyre.

"Çerdhet publike dhe ato me baze në komunitet do të hapen me 10 gusht (me përjashtime sipas rrethanave) me protokolin e veçantë të hartuar nga Komuna. Çdo prind duhet të raportojë për gjendjen në familje, për anëtarë të familjes të testuar, me dyshime dhe të testuar. Fëmijët me temperaturë nuk do të lejohen në çerdhe. Ata që shkelin këto rregulla do të çregjistrohen nga çerdhja", deklaroi kreu i Prishtinës.

Skenaret e veçanta për raste të konfirmuara pozitive, sipas tij, përfshijnë masat prej mbylljes së klases e deri te mbyllja e çerdhes.

Po ashtu, ai ka saktësuar se edukatoret e klasëve do të ndahen dhe do të qëndrojnë në klasë të veta pa kontakte me klaset e tjera, ndërsa edhe ushqimi do të shërbehet nëpër klasa e jo në kantinën e përbashkët.

Shpend Ahmeti tha se çerdhet do të dezinfektohen para hapjes dhe po ashtu edukatoret e çerdheve do të testohen me testet serologjike për të izoluar rastet që mund të jenë positive me virus.

"Për të gjitha këto çerdhet do t'i marrin detajet, ndërsa prindërit do të informohen nga çerdhja e tyre", tha në fund kreu i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti. /Zëri