Pronarët e pishinave kërkojnë nga Qeveria t’i lejojë të punojnë, ndryshe paralajmërojnë bllokimin e kufirit me Shqipërinë
Foto:Laura Hasani

Pronarët e pishinave kërkojnë nga Qeveria t’i lejojë të punojnë, ndryshe paralajmërojnë bllokimin e kufirit me Shqipërinë

Aktuale August 03, 2020 - 14:34

Pronarët e pishinave të Kosovës kanë dalë sot në një protestë simbolike me pankarta, ku shkruhej “Lul Raka, a ke harru çka është klori-a”, “Kryeministër, nëse nuk na ndihmoni, na lini të punojmë”, “Taksat i paguajnë pishinat e Kosovës, jo plazhet e Velipojës”.

Me këtë protestë kërkohet nga Qeveria që të tërheqë vendimin e mbylljes së pishinave.

Ata e quajnë “skandaloz” vendimin për mbylljen e pishinave të hapura dhe sipas tyre ka një mori arsyesh pse nuk duhej të merrej ky vendim.

“Nëse nuk shkojnë në pishina qytetarët shkojnë në liqene ose plazhe ku nuk ka masa mbrojtëse, rritet numri i frekuentimit nëpër qendra tregtare. Pishinat punojnë në bazë të rregullave, kanë ujë të kontrolluar dhe distancë të mjaftueshme. Pishinat e Kosovës mbajnë nga 3000 deri në 4500 familje në kohë vere”, theksoi Diamant Paçarizi, pronar i një pishine në Kosovë, raporton “Zeri.info”.

Paçarizi theksoi se pishinat kanë sezon të shfrytëzueshëm, maksimumi 50 ditë me diell dhe se ky vendim do t’i çojë ata në kolaps, pasi mirëmbajtja e ujit do të jetë me kosto të njëjtë ditore dhe inkasimi zero.

“Vendimi është arbitrar dhe i kundërligjshëm. Ligji, me shifrën 04/13, i vendimit të datës 13 korrik 2020 vetëm udhëzon pishinat për zbatimin e masave dhe jo për mbylljen e tyre”, tha ai.

Po ashtu Paçarizi njoftoi që në rast se Qeveria nuk merr vendim sonte, protesta e radhës do të mbahet në kufi me Shqipërinë.

“Do të mbajmë protestë në kufi me Shqipërinë, ku do të bllokojmë automjetet që dalin jashtë Kosovës. Kërkojmë nga policia që të mos ketë provokim të situatës në kauzën tonë pa arritjen e qëllimeve tona”, ka përfunduar ai.

Protestuesit, në fund të protestës, hodhën para objektit të Qeverisë çadra plazhi dhe pankartat e tyre. /Zëri

Image

 

 

 

 

 

 

Image
Image
Image