Shqiptarët e Malit të Zi me listë të përbashkët në zgjedhje

Shqiptarët e Malit të Zi me listë të përbashkët në zgjedhje

Aktuale July 26, 2020 - 14:02

Partitë shqiptare në Malin e Zi janë dakorduar për të dalë me një listë të përbashkët në zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 30 gusht.

Kështu ka njoftuar në Facebook kryetari i partisë së Forcës së re demokratike, Nazif Cungu. Ai ka shkruar se duke kuptuar rëndësinë e zgjedhjeve parlamentare dhe kërkesat e qytetarëve, forcat politike shqiptare do të luftojnë për vend në Kuvendin e Malit të Zi nën një ombrellë të përbashkët, shkruan Zeri.info.

“Alternativa Shqiptare e kryesuar nga Nik Gjeloshaj, Forca e re demokratike e kryesuar nga Nazif Cungu, Lidhja Demokratike Shqiptare e kryesuar nga Nikollë Camaj, Unioni i Tuzit i kryesuar nga Fadil Kajoshaj dhe Levizja qytetare Perspektiva, e kryesuar nga Amir Hollaj, duke kuptuar rëndësinë e zgjedhjeve parlamentare të 30 gushtit, kërkesën e qytetarëve, pritjen dhe ftesën e diasporës për bashkim, kanë rënë dakord që, në zgjedhjet parlamentare të 30 gushtit, të dalin në një listë të përbashkët”, ka shkruar Cungu.

Në zgjedhjet e kaluara parlamentare në tetor 2016, pati një rënie të theksuar të përfaqësimit të shqiptarëve në parlament si pasojë e përçarjes dhe mungesës së unifikimit mes tyre. /Zëri