Meta: Adem Demaçi, maratonomaku shqiptar i palodhur i lirisë

Meta: Adem Demaçi, maratonomaku shqiptar i palodhur i lirisë

Aktuale July 26, 2020 - 11:50

Respekt dhe përkujtim për veprimtarin e njohur të çështjes shqiptare, Adem Demaçi, ka shprehur presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, në dy vjetorin e vdekjes së tij.

Ndërsa e quan “Mandela i Evropës”, Meta shkruan se Demaçi do të mbetet maratonomaku shqiptar i palodhur i lirisë.

“'Saharovi' ynë me më shumë vite burg të vuajtura në ish-Jugosllavi si i burgosur politik, që ia dole të përballosh e t'i sfidosh me fisnikëri e mençuri sakrificat pambarim për çështjen kombëtare, Kosovën e lirë, të pavarur, sovrane e të njohur ndërkombëtarisht me kufijtë e saj. Nuk do t'i gjej kurrë fjalët e duhura për të shprehur dhimbjen e thellë që la pas ikja jote në përjetësi dy vite më parë, Baca Adem Demaçi, emblema e qëndresës shqiptare, Heroi ynë i pashembullt për liri dhe dinjitet kombëtar e njerëzor”, shkruan Meta.

Në fund, presidenti shqiptar shpreh mirënjohje të thellë para kujtimit të jetës dhe veprës së lavdishme e frymëzuese të Demaçit për të gjitha gjeneratat e shqiptarëve.