FSK: Lajmi i “Sputnikut” për armatim nga Gjermania, “fake news”
Foto: Laura Hasani

FSK: Lajmi i “Sputnikut” për armatim nga Gjermania, “fake news”

Aktuale July 23, 2020 - 16:42
Image

Agjencia ruse e lajmeve “Sputnik” gjatë ditës së djeshme raportoi se Kosova ka blerë armatim dhe pajisje ushtarake nga Gjermania në vlerë prej 170 milionë euro në total, duke mos përmendur periudha kohore.

“Sputnik” thotë se autoritetet e Kosovës kanë negociuar prej muajsh me shërbimet e inteligjencës gjermane për prokurimin e topave dhe sistemeve të raketave anti-tank për Ushtrinë e Kosovës, dhe përqendrimi i tyre është në plotësimin e artilerisë së lehtë dhe armëve moderne të këmbësorisë, shkruan Zeri.info.

Kjo agjenci pretendon se me këtë, Gjermania ka shkelur rregullat dhe ligjet e veta sepse, gjithnjë sipas Sputnikut, dispozita e vitit 1971 ndalon në parim eksportimin e armëve në vendet jo anëtare të NATO-s.

Agjencia ruse po ashtu thotë se Kosova, gjegjësisht FSK-ja, është duke negociuar blerjen e një sasie të re të pushkëve automatike G-36 (Hekler dhe Koh) si dhe tanket “Leopard 2”.

Por, në një përgjigje për “Zërin”, FSK-ja e ka demantuar këtë lajm duke e cilësuar si “fake news”.

Zyra për Informim e FSK-së ka thënë se agjencia ruse ka për qëllim dëmtimin e imazhit dhe perspektivës së FSK-së.

“Lajmi nga agjencia e lajmeve ruse ‘Sputnik’ është lajm i rrejshëm (fake news) në vazhdën e dezinformatave nga qarqet jomiqësore të FSK-së dhe vendit në përgjithësi me qëllim të dëmtimit të imazhit dhe perspektivës së saj zhvillimore”, thuhet shkurt në përgjigjen e FSK-së për Zërin.

Për lajmin e “Sputnikut” reagoi mbrëmë edhe presidenti serb, Alleksandar Vuçiq.

Ai tha të ketë kërkuar nga Agjencia e Inteligjencës Ushtarake informacione të menjëhershme me të parë lajmin në “Sputnik”.

Megjithatë, Vuçiqi u shpreh se nuk mendon që Kosova do të marrë tanke “Leopard”, por se nuk e përjashton mundësinë që të marrin armatim antitank.

“Diçka e çuditshme po ndodhë, të gjithë në rajon po armatosen”, deklaroi ai për televizionin publik serb.

Vuçiqi tha se ka një problem të madh me stërvitjen dhe armatimin shtesë të Ushtrisë së Kosovës, por ai tha se “Serbia do të mbrohet”.

Kujtojmë se ditë më parë, FSK-ja pranoi një pjesë të kontingjentit të automjeteve taktike ushtarake multifunksionale të tipit HMMWV.

Për “Zërin”, Zyra për Informim e FSK-së tha se në ditët në vijim pritet të arrijë edhe pjesa tjetër e këtij kontingjenti.

“Këto automjete janë blerë sipas planit zhvillimor të FSK-së për ngritje të kapaciteteve operacionale”, ka thënë ZI e FSK-së. /Zëri/