Podujevë, banorët në hall me ordinancën që operon në hyrjen e ndërtesës së tyre kolektive
Foto: Laura Hasani

Podujevë, banorët në hall me ordinancën që operon në hyrjen e ndërtesës së tyre kolektive

Aktuale July 16, 2020 - 15:33
Image

Në qytetin e Podujevës, shumë afër Spitalit të Përgjithshëm, operon ordinanca private e pulmologjisë “Shpëtimi”.

Kjo ordinancë ndodhet në katin përdhes të një ndërtese kolektive, ku banojnë më shumë se 15 familje.

Banorët e kësaj ndërtese pareshtur janë ankuar në lidhje me operimin e kësaj ordinance në ndërtesën ku ka banorë të gjeneratave të ndryshme, fëmijë, të rinj e të moshuar.

Image

Ndërsa doktori i kësaj ordinance, Bahri Thaqi, pavarësisht pakënaqësive të banorëve dhe mosmarrjes së lejes për të operuar fillimisht nga ta, arsyetohet se është dukë kryer punën e tij në pajtim me ligjet në fuqi.

“Inspeksioni ka ardhur dy herë këtu, ka konstatuar se çdo gjë është në rregull. Ka konstatuar që këtu ka pakënaqësi. Këtu kurrfarë analizash nuk bëhen, nuk ka rrezik për banorët. Unë i respektoj ligjet e Kosovës, Ligjin për Shëndetësi, i cili e lejon operimin e ordinancës në katet përdhes. Këta po shtiren budallenj, ose stresi nga COVID-i i ka bërë budallenj, unë qe 12 vjet punoj këtu, komisioni e ka licencuar këtë ordinancë, është konstatuar që çdo gjë është në rregull”, ka thënë Thaqi.

Doktori i ordinancës “Shpëtimi” shton më tej se do të vazhdojë punën e tij deri në kohën kur i ndalohet me ligj. Deri atëherë nuk premton se do të largohet nga ky lokacion.

“Derisa nuk bie ndesh me ligjin unë do të punoj, ditën kur ligji ma ndalon unë automatikisht e mbyll. Se unë punoj për vete, por edhe për të gjithë pacientët që kanë nevojë”, tha për “Zërin” Bahri Thaqi.

Image

Ai më tutje ka fajësuar banuesit, të cilët janë ankuar se kanë hedhur doreza e gjësende për t’ia hedhur fajet atij.

Në anën tjetër, banorët, të cilët edhe para pandemisë janë ankuar nga frika e marrjes së ndonjë sëmundjeje, tani ata frikësohen edhe nga infektimi me koronavirus nga pacientët që vizitohen në këtë ordinancë.

Ata ankohen se në hyrje të ndërtesës hasin çdo ditë në numër të madh të pacientëve me sëmundje ngjitëse, si tuberkulozi e shumë sëmundje të tjera. Sipas tyre, në hyrje shohin çdo ditë doreza të hedhura nga pacientët, maska e faculeta të ndryshme, gjë për të cilën akuzojnë mjekun, që thonë se nuk paguan as për mirëmbajtjen e ndërtesës.

Image

Hazir Haziri, kryetar i Këshillit Banesor, si dhe banues, duke sqaruar të gjithë problemin për të cilin edhe kanë nënshkruar peticion, thotë se nëse nuk ndërmerret diçka nga organet kompetente, atëherë banuesit mund të ndërmarrin hapa për ndalimin e hyrjes së pacientëve në ndërtesë.

“Banuesit e kanë bërë gati një peticion, të cilin e kam dërguar në Komunë me nënshkrimet e tyre te drejtori. Në 2008-n ky doktor e ka marrë këtë hapësirë për hapjen e ordinancës, por nuk ka kërkuar lejen e banuesve për hapjen e kësaj ordinance të sëmundjeve ngjitëse. Gjatë kësaj kohe doktori ka pasur problem me banuesit vazhdimisht”, thotë ai.

Ai paralajmëron se nëse nuk ndërmerret diçka do të radikalizojnë veprimet.

“Nëse nuk ndërmerret diçka ne do t’ia ndalojmë hyrjen këtu. Tash është momenti kur organet përgjegjëse të ndërmarrin diçka para se të ndërmarrim ne”, ka thënë Haziri për “Zërin”.

Ai thotë se banorët kanë parë që nga kjo ordinancë kanë dalë edhe persona të infektuar me COVID-19, që sipas tij te hyrja i ka marrë autoambulanca.

“Pas dy muajsh izolim, gjatë fillimit të përpalljes me pandeminë COVID-19, kur filluar njerëzit të vijnë te ky doktor, ka raste që kanë ardhur edhe persona të infektuar, i kemi parë disa herë persona që ka ardhur t’i marrë autoambulanca”, u shpreh ai.

Image

Në anën tjetër, Muhamet Murati, banues i kësaj ndërtese, thotë se e kanë vështirë të kalojnë nëpërmes klientëve që presin në radhë për kontrollim, derisa nuk janë në dijeni se çfarë sëmundjesh kanë ata. Ai thotë se bashkëshortja e tij dhe dy vajzat ndihen të rrezikuara edhe nga infektimi me COVID-19.

“Ne po e kemi problem të hyjmë në hyrje të ndërtesës nga klientët e tij. Doktori duhet ta dijë mirë se ku mund të operojë, ky këtu e zhvillon ende më shumë pandeminë, po ne duhet të izolohemi derisa hyjmë dhe dalim nga banesat tona. Nëse ka licencë ky nuk ka mundur ta marrë atë pa pëlqimin tonë, ky vend është i banimit, jo i biznesit”, u shpreh Murati, banues në katin e katërt të ndërtesës.

Image

Derisa banuesit e ndërtesës qarkullojnë për punët e tyre, kanë hasur edhe në raste të rënda, raste të pacienteve të cilët është dashur të barten e s’kanë pasur mundësi të ecin. Sipas banuesit të ndërtesës, Shpëtim Zeka, përveç të rrezikuar, nga këto raste është edhe për t’u frikësuar. “Kam hasur në pacientë që kanë qenë duke pritur për kontrollim në ordinancë, janë bartur me qebe aq rëndë kanë qenë, s’kanë pasur as mundësi me ecë. Është shqetësim yni, unë besoj që duhet të ndërmerret diçka, ky problem tash e 10 vjet ekziston”, tha ai.

Dhurata Jahja, derisa po hynte në banesën e saj, ka treguar për “Zërin” se kanë informata që doktori nuk paguan as mirëmbajtjen e banesës.

Banorët e kësaj ndërtese kolektive kanë paralajmëruar se nëse nuk ndërmerren masa ndaj ordinancës, do të bllokojnë hyrjen e pacientëve. /Zëri

Image

Image

Image

Image