Kelmendi Hotit: Nuk mundesh me i mbyll xhamitë sepse shkarkohesh

Kelmendi Hotit: Nuk mundesh me i mbyll xhamitë sepse shkarkohesh

Aktuale July 12, 2020 - 18:56

Ish deputeti i Parlamentit të Kosovës, Gëzim Kelmendi, ka reaguar ndaj masave të reja që ndërmorri sot Qeveria Hoti.

Veç mbajtjes së maskave, respektimit të distancës dhe kujdesit ndaj higjienës personale, sot u mor vendim që të pezullohen edhe tubimet institucionale dhe ritet fetare.

Ndaj kësaj të fundit, Kelmendi, nuk u përmbajt dhe iu drejtua Hotit me një postim në “Facebook”, ku kërkon mos mbylljen e xhamive.

“Kryeministër Hoti, nuk mundesh me i mbyllë xhamitë se shkarkohesh”, shkruan Kelmendi.

Sipas tij, Qeveria Hoti, edhe pas “dështimit” për menaxhimin e situatës me pandemi, “nuk po kursen as ata që fare nuk ndikuan në përhapjen e COVID-19”.

“Prej shpërthimit të pandemisë, nuk është raportuar asnjë rast i vetëm me COVID-19 nëpër xhamitë e Kosovës.

Ndërsa sonte kjo qeveri do të propozon mbylljen e xhamive”, thotë Kelmendi.

Ish deputeti i ka kërkuar Kryeministrit që “të mos bëhet si Kurti”, kur sipas tij, “mbylli xhamitë, ndaloi faljen e namazit të Bajramit, por në momentin kur e humbi pozitën e kryeministrit, e "lëshoi bajrakun", organizoi protestë me mijëra pjesëmarrës në qendër të Prishtinës”.

Kelmendi nuk dha ndonjë sqarim tjetër për kundërshtimin e tij direkt në lidhje me masat e reja të Qeverisë.

“Kryeministër Hoti, mos i mbyllë xhamitë.

Ti mundesh, mandej nuk mundesh se shkarkohesh qysh u shkarku ai para teje”, përfundoi ai./Zëri