Senati amerikan: Rusia po ndërhyn për përkeqësimin e marrëdhënieve Serbi - Kosovë
Senati Amerikan. Foto: Wikimedia Commons / ilustrim

Senati amerikan: Rusia po ndërhyn për përkeqësimin e marrëdhënieve Serbi - Kosovë

Aktuale July 02, 2020 - 16:58

Një raport i Komisionit për Mbrojtje në Senatin amerikan thekson se, Rusia ka bërë përpjekje për përkeqësimin e marrëdhënieve Serbi-Kosovë.

Në raport theksohet se, SHBA-ja duhet të vijojë mbështetjen për përpjekjet diplomatike në arritjen e një marrëveshjeje historike mes dy vendeve për normalizimin e marrëdhënieve dhe njohjen reciproke.

Një marrëveshje tillë, nënvizohet në raport, është në interes të dy vendeve pasi sjell forcimin e sigurisë dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor, raporton “EuronewsAlbania”.

Duke njohur rolin e KOFOR-it në Kosovë për sigurinë dhe stabilitetin, gjë e cila është esenciale në arritjen e normalizimit të marrëdhënieve Serbi-Kosovë, raporti kërkon që SHBA në bashkëpunim me aleatët e NATO-s të marrin të gjitha hapat e nevojshme për t’i garantuar KFOR-it personelin dhe burimet e duhura për misionin e tij.

Nga ana tjetër, raporti vëren se, SHBA duhet të vazhdojë mbështetjen për Forcat e Sigurisë në Kosovë për kalimin gradual në një ushtri multi-etnike.

Duke marrë parasysh, garën strategjike me Rusinë, raporti bën thirrje për investime të pandërprera për ulur kërcënimet që vijnë për sigurinë dhe prosperitetin.

Madje në raport thuhet se, Senati duhet të marrë masa mbrojtëse kundër agresionit të Rusisë dhe kundër aktivitetit rus për një konflikt të armatosur.

Raporti shpreh shqetësim për ndikimin rus në Ballkanin Perëndimor duke e bërë përgjegjës këtë vend për grushtin e shtetit në Malin e Zi, mungesën e stabilitetit në Bosnje dhe Hercegovinë si dhe ka bërë çdo përpjekje për të mos lejuar anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO.