Tre zyrtarë qeveritarë rezultojnë pozitivë me COVID-19

Tre zyrtarë qeveritarë rezultojnë pozitivë me COVID-19

Aktuale July 01, 2020 - 17:26

Sekretarja në Ministrinë e Pushtetit Lokal, Rozafa Ukimeraj, ka bërë të ditur se ka rezultuar pozitiv me koronavirus.

Ukimeraj përmes një postimi në facebook ka thënë se është vetizoluar që nga dita e hënë dhe thotë se ndihet mirë me shëndet.

“Unë sot kam rezultuar pozitiv me virusin Corona. Unë jam në vetizolim që nga dita e hënë dhe po ndjehem mirë me shëndetin. Po shpresoj se do t’ia tejkaloj edhe këtë sfidë”, ka shkruar ajo, transmeton Zeri.info.

Po ashtu Ukimeraj u ka bërë thirrje të gjithë atyre që kanë pasur kontakte me të, të bëjnë kontrollet mjekësore.

Ajo ndër të tjera tha se nuk është trajtuar mirë nga institucionet shtetërore shëndetësore.

"Të gjithë ata që kemi pasur kontakte, ju lutem, bëni kontrolle mjekësore, meqë nuk do të kontrolloheni nga ndonjë institucion përgjegjës. Edhe pas shumë përpjekjeve, unë nuk arrita të trajtohesha dinjitetshëm nga institucionet shtetërore, prandaj testimin e kam kryer në Maqedoninë Veriore”, ka shkruar ajo, transmeton Zeri.info.

Ndërkaq, Ministria e Punëve të Brendshme, respektivisht Agjencia e Regjistrimit Civil, ka njoftuar se në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve si dhe në Qendrën për Paisje me Dokumente në Prishtinë, kanë rezultuar pozitivë me COVID-19 dy zyrtarë të këtyre qendrave.

“Për shkak të rrezikut nga përhapja e #COVID19, është marr vendim që Qendra për Regjistrimin e Automjeteve, Qendra për pajisje me Dokumente dhe Zyra për vulat Apostile me datën 2 dhe 3 Korrik 2020 të pezullojnë ofrimin e shërbime me palë, duke përjashtuar rastet mjekësore si për QRA ashtu edhe për QPD dhe tërheqjen e dokumenteve të gatshme”, thuhet në njoftimin e MPB-së.

Ndërsa për aplikimet e rasteve të tjera mund të bëhen në Qendrat për Pajisje me Dokumente të komunave të afërta. /Zëri