Konjufca reagon pasi qeveria “Hoti” ia anuloi vendimet

Konjufca reagon pasi qeveria “Hoti” ia anuloi vendimet

Aktuale July 01, 2020 - 16:49

Qeveria sot ka anuluar vendimet e ish-ministrit të Jashtëm, Glauk Konjufca, i cili i kishte shkarkuar disa prej ambasadorëve dhe konsujve nëpër shumë shtete të botës.

Pas kësaj ka reaguar ish-ministri Konjufca, i cili e ka quajtur të gabuar politikën e LDK-së, duke mbrojtur vendimet e tij.

“Vendimi i sotshëm i Qeverisë Hoti, pra anulimi i vendimit për kthimin e konsujve të paligjshëm, tregon për orientimin thellësisht të gabueshëm politik të LDK-së. Ky është koncesion kapital me shkelësit e ligjit dhe krimin e organizuar. Kosova ka vuajtur 20 vite nga bandat e zhvatjes së institucioneve shtetërore, të cilët edhe misionet tona diplomatike dhe shërbimin tonë të jashtëm e kanë kthyer në shitblerje kriminale të pozitave publike”, ka shkruar Konjufca, transmeton Zeri.info

Ish-ministri nga radhët e LVV-së më tej ka thënë se vendimin për kthimin e ambasadorëve e ka marrë duke u bazuar në Ligjin mbi Misionet Diplomatike, ndërsa ka akuzuar kryeministrin Hoti se anulimin e këtyre vendimeve e ka marrë pasi ka qenë i shantazhuar nga PDK-ja, AAK-ja dhe Nisma.

“Edhe vendimi im për kthimin e ambasadorëve politikë të cilët kanë hyrë në mandatin e dytë, ka qenë i drejtë, i ligjshëm dhe i domosdoshëm. Masa e të ngarkuarve politikë në misionet tona diplomatike ka shkuar në nivelin mbi 70%. Ligji thotë që duhet të jenë në 50%. Vendimi i sotshëm i Qeverisë Hoti është argumenti më i mirë i mashtrimit të paskrupullt të elektoratit nga LDK-ja, duke ua premtuar në zgjedhje qytetarëve luftimin e krimit, por në të vërtetë duke ua sjellë koalicionin e zhvatjes. Avdullah Hoti e ka bërë këtë veprim për shkak se është i shantazhueshëm nga PDK-ja, AAK-ja e NISMA. Ai e di se pa këto kompromise me ta nuk mund të jetë kryeministër. Ama kjo tregon se qëllimi i tij suprem nuk është ndryshimi që popullit i duhet, por përmbushja e ambicies së vet personale në kompromis me keqpërdoruesit tradicionalë të buxhetit të shtetit tonë. E ndytë dhe e pafalshme”, ka thënë Konjufca.

Në fund, ish-ministri i Jashtëm ka paralajmëruar zgjedhje të reja, që sipas tij, do të vijnë shumë shpejt.

“Zgjedhjet e reja demokratike do të vinë shumë shpejt sepse qytetarët nuk do ta tolerojnë gjatë këtë mashtrim. Prandaj këto vendime kriminale të Qeverisë Hoti do të ndërpriten sapo të mbahen zgjedhjet që janë afër”, ka shkruar ish-ministri i Jashtëm në Facebook. /Zëri