Sindikatat e punëtorëve paralajmërojnë trazira sociale

Sindikatat e punëtorëve paralajmërojnë trazira sociale

Aktuale July 01, 2020 - 16:38
Image

Një ditë më parë, Gjykata Kushtetuese shpalli të pavlefshëm Ligjin për Pagat në sektorin publik, duke e aprovuar kështu kërkesën e Avokatit të Popullit. Sipas Kushtetueses, deri te ky vendim ka ardhur pasi që Ligji nuk i kishte harmonizuar pagat në nivel të të gjithë sektorëve, shkruan Zëri.info

Pas këtij vendimi pati ankesa të shumta nga ana e sindikatave të punëtorëve të Kosovës të cilat thonë se nuk e kanë pritur një vendim të tillë.

Kryetari i Sindikatës së Arsimit Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jashari për “Zërin” tha se lajmin për anulimin e Ligjit për Paga nga Kushtetuesja e kanë pritur shumë keq dhe për këtë ai thotë se ka frikë që shtatori në institucione arsimore të sjellë veprime sindikale.

“Ajo që ndodhi dje ishte vërtet një lajm i keq, i papritur për ne dhe po them që SBASHK-u për momentin është në situatë të tillë që viti mësimor ka përfunduar në distancë dhe ajo që më frikëson mua si kryetar, por edhe stafin qendror këtu dhe kolegët e mi kudo që janë, veprimtarë sindikalë, është që viti i ardhshëm shkollor urojmë që ta mposhtim pandeminë dhe urojmë që të krijohen kushtet për t’u kthyer në shkollë, por kam frikë se shtatori edhe në institucionet arsimore do të sjellë përplasje në kuptimin se mësimdhënësi dhe punëtorët tjerë në universitete do të kërkojnë veprime sindikale, ngase janë tepër të zhgënjyer sepse kanë pritur një kohë shumë të gjatë dhe është thënë se në dhjetor të fillojë së implementuari ky ligj, por pastaj Avokati i Popullit e dërgoi në Kushtetuese dhe ajo ia bëri tri pezullime këtij Ligji, që do të thotë kaluan gjashtë muaj dhe në fund solli një vendim të tillë”, tha Jashari.

Ai ka theksuar se SBASHK-u dhe sindikatat tjera do të kërkojnë nga Qeveria e Kosovës që të marrin masa ndaj këtij vendimi të Kushtetueses.

“SBASHK-u dhe sindikatat e tjera nuk mund të bëjnë ndonjë veprim sindikal ndaj Kushtetueses sepse edhe në rastet e tjera është parë që vendimet e tyre dhe palët që kanë qenë tejet të pakënaqura është dashur t’i pranojnë, por ne do të kërkojmë nga qeveria që ajo të reflektojë dhe të marrë masa që bashkërisht me ata të bëjmë ndonjë veprim pozitiv dhe të qetësohet situata, jo vetëm në arsim por edhe në shëndetësi, polici, doganë e të tjera sepse këto sindikata vazhdimisht janë në bashkëpunim dhe vazhdimisht i koordinojnë aktivitetet dhe angazhimet”, potencoi ai për “Zërin”.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jashari, tha se është shprehur se kolegët nga kjo sindikatë kanë pritur një përgjigje pozitive që këtij ligji t’i jepet drita e gjelbër. Mirëpo ai thotë se do të ketë kërkesa për grevë në shtator.

“Ata [kolegët e sindikatave] janë tepër të indinjuar dhe kanë pritur krejt diçka tjetër, kanë pritur një përgjigje pozitive që ligjit t’i jepet drita e gjelbër për të filluar së implementuari. Mirëpo, unë kam frikë se, si kryetar i SBASHK-ut, bashkë me stafin qendror, në shtator do të kemi telashe dhe mund të ketë kërkesa për veprime sindikale për greva”, përfundoi Jashari.

Për çështjen e anulimit të Ligjit të Pagave në sektorin publik nga Gjykata Kushtetuese janë deklaruar edhe nga Sindikata e Policëve të Kosovës. Ata kanë potencuar për “Zërin” se nuk e kanë mirëpritur këtë vendim, të cilin e kanë cilësuar “të pakëndshëm” për sindikatën.

“Nuk e kemi mirëpritur. Ne kemi menduar se Kushtetuesja do ta fuqizojë këtë ligj. Është i pakëndshëm për neve dhe i papritur, por ja ndodhi kjo”, kanë thënë nga kjo sindikatë.

Menjëherë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ka reaguar Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës. Këtë vendim ata e kanë quajtur të turpshëm dhe degradues.

“Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës shpreh pakënaqësinë e saj me Vendimin e Gjykatës Kushtetuese për vazhdimin e afatit të masës së përkohshme për Ligjin e Pagave deri më 30 Qershor 2020. Turp, ofendim, degradim, në këtë kohë të kësaj lufte globale merren vendime pikërisht kundër heronjve dhe nga kush…institucioni më i lartë i drejtësisë .Provokohet situata mu në kohën kur neve mendojmë për shëndetin e popullatës e disa të tjerë po mendojnë për kolltukët e butë dhe pagat e tyre marramendëse”, thuhet në reagimin e FSSHK-së.

Po ashtu nga FSSHK-ja kanë paralajmëruar se po presin fundin e pandemisë dhe më pas të marrin masa.

Vendimi i Kushtetueses, i papranueshëm është edhe për Bashkimin e Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK).

Kryetari i BSPK-së, Avni Ajdini, ka thënë se ky vendim është mohim i të drejtës në përfitim nga puna e mbi 62000 punëtorëve

“Për Bashkimin e Sindikatave të Pavarura të Kosovës vendimi i Gjykatës Kushtetuese për anulimin e Ligjit të Pagave, pa lënë hapësirë për korrigjimin e tij në ato pak pjesë kontestuese, është i papranueshëm. Ky është mohim të drejtës në përfitim nga puna për mbi 62000 shërbyes civilë”, thuhet në reagimin e kësaj sindikate.

Ajdini tha se Gjykata Kushtetuese ia ka humbur shpresat punëtorëve të cilët e kanë pritur me padurim zbatimin e këtij ligji. Sipas tij, Kushtetuesja e ka ngacmuar plagën e hapur të punëtorëve.

“Gjykata Kushtetuese ia ka humbur shpresat punëtorëve të Republikës së Kosovës të cilët me padurim e kanë pritur zbatimin e këtij ligji. Konsiderojmë së Gjykata Kushtetuese e ka ngacmuar plagën e hapur të punëtorëve dhe nëse kjo plagë nuk shërohet do të ketë trazira sociale”, ka përfunduar kryetari i BSPK-së, Avni Ajdini.

Në orët e pasdites së sotme, kryeministri i vendit, Avdullah Hoti, ka zhvilluar një takim me kryetarët e sindikatave të Kosovës.

Hoti tha se vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk diskutohen, por pranohen ashtu siç janë.

“Shqetësimin që ata (sindikatat e punëtorëve) e kanë lidhur me aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese sa i përket Ligjit të Pagave, e ndajmë edhe ne, dhe unë iu them nga pozicioni që e kam që të të njëjtit mendim jemi të gjithë që vendimet e gjykatave të cilit do nivel nuk diskutohen por pranohen ashtu si janë”, tha ai.

Tutje ai theksoi se qeveria do të formojë grupin punues për të proceduar në Kuvend Ligjin e Pagave dhe sipas tij në këtë grup do të jenë të përfshira të gjitha sindikatat.

“U dakorduam që qeveria menjëherë të formojë grupin punues për të proceduar në Kuvend Ligjin e Pagave, duke marrë parasysh argumentet që i ka shfrytëzuar Gjykata Kushtetuese. Në grupin punues do të jenë të përfshira të gjitha sindikatat sepse ky ligj është për këta të punësuar që përfaqësohen nga kryetarët e sindikatave”, potencoi Hoti.

“Zotimi i qeverisë është që ne do të nisim menjëherë procedurat sa më të shkurta të mundshme ligjore për të proceduar ligjin në qeveri duke kryer të gjitha konsultimet e nevojshme”, u shpreh kryeministri Hoti. /Zëri/