
EPIK: Viti 2019 shënoi rekordin më të ulët të refuzimit të vizave Schengen për kosovarët
Instituti EPIK, në publikimin e radhës “VITI MË I MIRË: Statistikat për Vizë Schengen për Kosovën 2019”, trajton trendet e fundit në lidhje me numrin e aplikimit dhe aprovimit të kërkesave të qytetarëve të Kosovës për vizë Schengen.
Instituti ka analizuar më në detaje shkallën e refuzimit të vizave në rastin e Kosovës, pasi që kjo përbën një nga indikatorët më të rëndësishëm që merret parasysh në kuadër të vendimmarrjes për liberalizimin e vizave.
Sipas Institutit EPIK, viti 2019 ka shënuar vitin më të mirë për Kosovën në të gjithë indikatorët të ndërlidhur me vizën Schengen. Qytetarët e Kosovës kanë aplikuar për historikisht numrin më të lartë të vizave Schengen gjatë vitit të kaluar por edhe kanë pranuar numrin më të lartë të vizave, ndërsa shkalla e refuzimit të vizave – edhe pse ende e lartë - ka arritur nivelin më të ulët historik.
“Në vitin 2019, gjithsej 108,774 qytetarë të Kosovës kanë aplikuar për vizë Schengen. Nga ta, 88,448 kanë marrë një të tillë. Kjo shënoi rekordin historik për nga numri i aplikimeve dhe aprovimeve të vizave Schengen për qytetarët e Kosovës. Me fjalë të tjera, 80% e qytetarëve të Kosovës që kanë aplikuar për vizë kanë pranuar një të tillë, apo thënë ndryshe 8 nga 10 qytetarë që kanë aplikuar kanë marr vizë Schengen”, thotë Instituti EPIK.
Krahasuar me vitin 2018, gjatë vitit të kaluar qytetarët e Kosovës kanë kërkuar 17% më shumë viza Schengen, ndërsa kanë pranuar 19% më shumë të tilla.
Në vitin 2019, qytetarët e Kosovës kanë dorëzuar më së shumti aplikacione për vizë në gjermani (43,863 aplikacione, nga të cilat u miratuan 36,069), në Zvicër (39,545 aplikacione, nga të cilat u miratuan 31,735) dhe në Greqi (7,604 aplikacione, nga cilat u miratuan 7,412”.
“Në vitin 2019, shkalla e refuzimit të vizave ishte më e lartë në Finlandë ku shënoi 35.8% dhe Slloveni ku shënoi 30.7%. Ndërsa, shkallë më e ultë e refuzimit të vizave ishte në Greqi me vetëm 2.1%”, potencon EPIK-u.
Edhe pse shkalla mesatare e refuzimit të vizave Schengen në vitin 2019 prej 18.8% është ende e lartë, sipas analizës së këtij instituti, ajo shënoi nivelin më të ultë historik për Kosovën.
“Në vitin 2019, Kosova është ranguar në vendin 53 në botë për nga shkalla e refuzimit të vizave – që është një përmirësim prej 14 vendeve krahasuar me vitin 2018. Sidoqoftë, duhet nënvizuar që Kosova ende rangohet më keq se vendet sikur Uzbekistani, Burkina Faso apo Libani”, thekson më tej instituti.
Sipas Institutit EPIK, shkalla e refuzimit të vizave përbën një nga indikatorët kyç në kuadër të procesit të liberalizimit të vizave.
instituti ka krahasuar shkallën e refuzimit të vizave për Kosovën me dy kategori të vendeve: (1) vendet që kanë kaluar të fundit në procesin e liberalizimit të vizave (Gjeorgjia dhe Ukraina); dhe (2) vendet e Ballkanit Perëndimor që kanë kaluar të fundit në procesin e liberalizimit të vizave (Shqipëria dhe Bosnja dhe Hercegovina).
“Regjimi i vizave për Gjeorgjinë dhe Ukrainën është hequr në vitin 2017, ndërsa për Shqipërinë dhe Bosnjën dhe Hercegovinën në vitin 2011. Rrjedhimisht, për qëllime krahasimi ne kemi përdorur të dhënat e vitit 2016 në rastin e Gjeorgjisë dhe Ukrainës, ndërsa të dhënat e vitit 2010 për Shqipërinë dhe Bosnjën. Në vitin 2016, Gjeorgjia ka pasur shkallen e refuzimit të vizave prej 12.2%, ndërsa Ukraina prej 3.2%. Nga ana tjetër në vitin 2010, Shqipëria ka pasur shkallen e refuzimit të vizave prej 15.09%, ndërsa Bosnja prej 5.72%. Në këtë drejtim, në vitin 2019 shkalla e refuzimit të vizave për Kosovën prej 18.8% është dukshëm më e lartë se vendeve të fundit që kanë përfituar nga liberalizimi i vizave. Duke pas parasysh shkallen e refuzimit të vizave për Kosovën është e rëndësishme që institucionet e Kosovës të vazhdojnë të adresojnë shkaqet e nivelit të lartë të refuzimit të vizave”, thekson në analizën e EPIK-ut.
Duke shikuar në një kontekst më të gjerë, në periudhën 2014-2019 për vizë Schengen kanë aplikuar gjithsej 522,343 qytetarë të Kosovës, ndërsa 415,766 kanë pranuar një të tillë. Me fjalë të tjera, 80% e atyre që kanë aplikuar kanë pranuar vizë Schengen në periudhën 2014-2019.